Shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë ulur 8,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht ka pësuar rënie 6,0 %. Sipas INSTAT, në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e dytë 2020 ka pësuar rënie prej 4,5 %, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2019. Në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 1,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.
Volumi i shitjeve, për grupin “artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është ulur 8,7 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve ka pësuar rënie me 18,3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2020, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, ka pësuar rënie me 4,3 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është ulur me 0,5 %, krahasuar me tremujorin paraardhës. Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është ulur me 7,2 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është ulur 11,6 %, kundrejt tremujorit të parë 2020.