Pandemia i ka bërë shqiptarë më shumë kursimtarë. Ata po shpenzojnë vetëm për ushqime. Dhe sipas raportit më të fundit konsumi i popullatës në fund të qershorit pësoi një rënie me 7.57%, por pritet të ulët edhe më shumë muajt e ardhshëm. Pasiguria por edhe karantina në muajit Prill dhe Maj ndryshoi sjelljen konsumatore. Qytetarët në karantinë shpenzuan vetëm për produktet e shportës, pra ushqime si dhe medikamente përfshirë maska, doreza dhe dezinfektant.

Kjo për shkak se lëvizja ishte e ndaluar, shumica e bizneseve që janë të varura nga konsumi u mbyllën, të tilla si baret restorantet, transporti, apo dyqanet e veshjeve me pakicë dhe shumicë. Banka e Shqipërisë këtë rënie të konsumit me e madhja që prej vitit 2002, e lidh edhe me uljen e të ardhurave për familje. “Goditja që pandemia i dha situatës financiare të familjeve e individëve pritet të shkaktojnë një ulje të konsumit, dhe shtron nevojën e gjetjes së burimeve për mbështetjen e tij”, thuhet në raportin e BSH.

Një tjetër tregues që dëshmon krizën e konsumit është edhe rënia e kërkesës për kredi konsumatore, që sipas BSH në tremujorin e dytë ka rënë me 39.7%. Madje kjo rënie pritet të jetë e pranishme edhe në muajit në vijim. “Pasiguria tek operatorët ekonomikë, në kushtet e pandemisë, vijon të jetë e lartë. Për këto arsye, kërkesa për kredi konsumatore më shume gjasë do të vijojë të jetë e dobët edhe për disa muaj”, vijon raporti i BSH. Marrja e masave për të nxitur qytetarët drejt shpenzimit është një nga kërkesat e ekspertëve për qeverinë. Ky tregues negativ është edhe një nga arsyet pse po rritet paga minimale në vend nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.