Ylli i Manchester City, Kevin De Bruyne, thotë se nuk ndien kurrfarë presioni për ta zëvendësuar krijimtarinë e David Silvas, duke këmbëngulur se nuk mund ta rikrijojë shkëlqimin e superyllit spanjoll. Silva i dha fund qëndrimit 10-vjeçar në Etihad këtë verë dhe iu bashkua Real Sociedadit si një mesfushor me 436 paraqitje për Manchester City.
City nuk e ka blerë asnjë zëvendësues kokë me kokë për Silvën, sepse i riu Phil Foden është përcaktuar si lojtari ideal i cili mund ta marrë rolin e spanjollit si mesfushor su lmues. Por De Bruyne, i cili e barazoi rekordin e Thierry Henry për më së shumti asiste brenda një edicioni sezonin e kaluar, është një lojtar tjetër i cili e ka për detyrë të marrë rol më sulmues në fushë në mungesë të Silvës.
Ylli belg, megjithatë, nuk mendon ashtu, sepse nuk është i bindur që ekziston një mënyrë e vërtetë për ta zëvendësuar ish-yllin e City. “David Silva ishte lojtar i jashtëzakonshëm për ne. Unë nuk mund ta rikrijoj atë që David e bën”, tha De Bruyne. “Unë duhet ta ndihmoj ekipin tim në mënyrën që gjithmonë përpiqem ta bëj. Të gjithë duhet të luajnë me cilësitë e veta”, shtoi ai.
“Natyrisht se do të jetë e vështirë sepse Silva ishte mjeshtër i hapësirave të ngushta, por mendoj se kemi njerëz të cilët mund ta bëjnë këtë punë. Ai sigurisht do të na mungojë brenda dhe jashtë fushës”, nënvizoi ai.