Thirrja e topit, ndoshta, është shumë e fortë. Edhe për Yoann Gourcouff. Futbollisti francez, ish-talent premtues me një të kaluar edhe te Milan-i, ku mendonin se kishin gjetur Kaka-në e ri, i ka thënë lamtumirë zyrtarisht futbollit të luajtur në 2018-ën, duke zhvilluar ndeshjen e tij të fundit kundër Dijon-it me fanellën e Bordeaux. 34-vjeçari Gourcouff duket se ndien se ka akoma diçka për t’i dhënë botës së topit. Një talent i madh, por që nuk ka shpërthyer kurrë.
E kaluara e tij te Milan-i kishte krijuar përshtypjen e Djalli kishte siguruar një tjetër lojtar të madh, por gjërat kanë shkuar ndryshe. Gourcouff ka bërë disa paraqitje të mira në Ligue 1, por më pas ka ardhur tërheqja te Bordeaux. Megjithatë, në një intervistë të dhënë për Aquitaine Radio, francezi ka pranuar se po mendon rikthimin: “Ndoshta mund ta riprovoj në të ardhmen. Për momentin po kujdesem për familjen time dhe fëmijët. Por nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”, ka thënë ai.