Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një vend atraktiv për ndërtimin e impianteve eolike për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, pasi ofron burime të shumta. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se shoqëria “NATURAL ENERGY SYSTEM” sh.p.k ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë saj, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në zonën e Semanit, në Fier. Aplikimi i detajuar i shoqërisë “NATURAL ENERGY SYSTEM” sh.p.k, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është bërë në datën 16 shtator.

Edhe kompani të tjera kanë kërkuar të hyjnë në treg për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme. Hidrocentrali i Lanabregasit, i ndodhur vetëm 6 kilometra larg Tiranës në fshatin me të njëjtin emër pritet të diversifikojë burimin e prodhimit të energjisë, pasi po shikon mundësinë e ndërtimit të centralit elektrik me erë. Në Agjencinë e Prokurimit Publik gjatë muajit qershor është publikuar njoftimi ku kërkohet shërbim konsulence për hartimin e projektit të centralit elektrik me erë në favor të HEC Lanabregas.

Ndërsa në fund të muajit korrik u bë nënshkrimi i marrëveshjes zbatuese mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë prestigjioze “Voltalia”, për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë. Ky projekt është 140 megavat, është më i madhi në Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje i hap rrugë ndërtimit të kantierit të madh të energjisë diellore, ku kompania franceze do të investojë 100 milionë euro