Lëkundjet e shpeshta të tokës këtë fund Shtatori kanë rikthyer frikën e tërmeteve. Instituti i Gjeoshkencave ka regjistruar prej 24 Shtatorit 20 lëkundje sizmike në vend, 15 prej te cilave me epiqendër në Belsh të Elbasanit. Sizmologët pranojnë se kjo është një zonë e re në hartën sizmike të Shqipërisë, por nuk i shohin ato të lidhura me lëkundjet e forta të vitit të kaluar.
“Është një zonë që ka një stil tektonik dhe një ndërtim gjeologjik ndryshe nga zona e Durrësit. Pak e vështirë për shkencën e gjeologjisë sot që pas një ngjarjeje të shfaqur qoftë edhe të rastësishme apo të ndjekur në mënyrë rigoroze të parashikosh se çdo të vijë pas kësaj ngjarje”.
Tërmeti më i fortë i 36 orëve të fundit ishte ai prej 4.5 Rihter me epiqendër në Cërrik. Po sa të rrezikuara janë ndërtesat nëse lëkundjet sizmike janë më të forta?
“Ato ndërtesa që nuk janë ndërtuar brenda kushteve teknike të paktën ato kushte që ka pasur Shqipëria janë të rrezikuara, ato që janë brenda kushteve nuk rrezikohen”.
Vendndodhja e Shqipërisë mes 2 pllakave tektonike asaj Afrikane dhe Euroaziatike, e bën një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Ndaj sipas ekspertëve është domosdoshmëri që për të gjitha ndërtimet të aplikohet Eurokodi, por ky i fundit nuk është miratuar zyrtarisht.