Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me rishikimin e buxhetit në korrik, u rritën fondet në dispozicion të programeve të punësimit, ndërkohë që fondi i punësimit u rrit në nivelin më të lartë historik të 10-vjeçarit të fundit”. Kryeministri Rama renditi disa nga masat e marra në kuadër të nxitjes së punësimit, siç janë “kushtëzimi i ndihmës ekonomike me marrjen e kurseve të formimit profesional, apo subvencionimi i punëdhënësve për punësimin e grave, të rinjve dhe personave me aftësi ndryshe”.

“Po ashtu kemi programin e posaçëm për studentët ekselentë. Se flasim për të rinjtë, flasim për mundësi për të rinjtë, ndërsa sot kemi një numër të konsiderueshëm studentësh ekselentë që kanë hyrë direkt në administratë vetëm me notat e tyre, pa asnjë mik e lidhje partie, pa asnjë favorizim dhe pa asnjë filtër tjetër përveç notave të tyre”, tha Rama. Kryeministri vuri në dukje se “në momentin tonë më të mirë regjistruam nivelin e papunësisë 11.2%, më të ulëtin në rajon sipas Bankës Botërore”. “Ndërkohë që sot kemi nevojë të adresojmë goditjen nga COVID, e dimë të gjithë, është fakt tanimë që dy paketat e konsiderueshme për t’u garantuar punëdhënësve një lehtësi dhe punëmarrësve mosndërprerjen të ardhurave plotësisht nga pezullimi i aktivitetit kanë funksionuar. Paga e luftës ka funksionuar, rritja e pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike e kryer për arsye të COVID është një objektiv për t’u stabilizuar më tutje si e tillë në mënyrë të vazhdueshme”, tha Rama.

Faktikisht, vijoi ai, “është fjala për dyfishim të ndihmës ekonomike”. Kryeministri theksoi se këto programe që prezantohen sot targetojnë pikërisht punëkërkuesit që kanë humbur vendet e punës në periudhën mars-qershor. “Financimi i pagës me shumën 100% të pagës minimale për gjysmën e kohëzgjatjes është një masë pozitive. Financimi i kontributeve shoqërore dhe shëndetësore po ashtu është një masë pozitive. Programi 12-mujor për ata që kanë qenë të punësuar, por nuk rezultojnë si të tillë në regjistrat e tatimeve mbulon kostot e sigurimeve të detyrueshme në masën 100%”, tha Rama.

Ai theksoi se “përveç rritjes së punësimit kjo skemë garanton edhe një reduktim të ndjeshëm të punës në të zezë që është shumë e rëndësishme”. “Na duhet ne si qeveri, ne si rrjet i Zyrave të Punës, ne si rrjet i shkollave profesionale që ta intensifikojmë informimin për këtë. Aplikimet për këto programe bëhen përmes e-Albania-s me transparencë dhe efikasitet, me kosto zero. Edhe e-Albania do të bëjë pjesën e vet për t’i informuar të gjithë”, shtoi Rama.