Nga njëra anë shpërthim rastesh të reja, nga tjetra zbutje të disa masave. Gjendja në Francë duket se po bëhet një rebus. Vendi ka regjistruar një rritje të madhe të infektimeve, por nga ana tjetër tenton të evitojë një izolim total. Kjo vërtetohet nga normat në lidhje me shkollat, ku klasat do të vihen në karantinë vetëm nëse të paktën tre nxënës do të rezultojnë pozitivë.

Më shumë se gjysma e rajoneve franceze në fakt është shpallur tashmë zonë e kuqe. 50 rajone që përbëjnë edhe shumicën e territorit kombëtar janë shpallur zona, në të cilat virusi qarkullon në mënyrë aktive. Një klasifikim që lejon veç të tjerash prefektët që të adaptojnë masa shtesë për të bllokuar avancimin e armikut të padukshëm. Nga ana tjetër rregullat bëhen më fleksibël nëpër shkolla, ku tani të gjitha klasat mund të vazhdojnë aktivitetin e tyre normal edhe nëse një nxënës do të rezultojë pozitiv.

Ky i fundit do të qëndrojë në shtëpi dhe shokët e tij do të vazhdojnë aktivitetet shkollore në pritje të kthimit të tij. Deri më tani, të gjithë personat që ishin në kontakt me një pozitiv mund të ktheheshin në klasë vetëm pas një tamponi negativ. Qeveria ka shpjeguar se rregulli i ri bazohet në një mendim të këshillit të lartë të shëndetësisë, sipas të cilit, fëmijët nuk rrezikohen nga forma të rënda dhe janë pak aktiv në transmetimin e Covid-19. Një ditë më parë në francë u regjistruan 10569 raste pozitive, por të dielën shifrat janë gjithnjë më të ulëta për shkak të mbylljes së laboratorëve të analizave.