Indrit Reka, Drejtor i Kabinetit në Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës (AK), shpjegoi për gazetaren Esmeralda Mulaj në Goodmorning Albania çështjen e fundit në lidhje me abuzimet që iu konstatuan Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) me të drejtat e transmetimit të ndeshjeve dhe pozitës së saj dominuese në aktivitetin ekonomik sportiv. Reka tha se AK e bëri konstatimin e mos-shmangies së ekskluzivitetit të transmetimeve të ndeshjeve nga FSHF pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtar.

“Nëse jepet me ekskluzivitet transmetimi, bëhet me kontratë jo të plotë, por të ndarë. Kjo ka nxjerrë problematika edhe në mënyrën e ndarjes së shitjes së të drejtave audiovizive, A dhe B, ku A janë vlerësuar ndeshjet kryesore dhe B ndeshjet e tjera që nuk shfaqin interes të gjerë, kjo metodë [e paaplikuar deri më sot] paraqet problematika për mënyrën se si shitet, sepse orienton drejt shitjeve ekskluzive dhe të plotë edhe të kampionatit edhe të kupës së Shqipërisë, kështu shmang konkurrencën sepse përjashton operatorët e tjerë të transmetimit të kenë mundësi të transmetojnë këto evente,” – u shpreh Reka. I pyetur nga gazetarja Mulaj nëse FSHF tashmë do të duhet të rihapë tenderët e trasnmetimit, Reka tha se nuk është kështu ajo që është vendosur nga Autoriteti.

“Gara e ardhshme të të drejtave të transmetimit duhet që të bëhet në përputhje me dispozitivin e vendimit të Komisionit të Konkurrencës. Pra do të vazhdojë kontrata siç është dhe në fund të saj do të bëhet garë e hapur transparente ku mund të marrin pjesë më shumë se një operator,” – tha Reka. Në vendimin e marrë javën e shkuar Komisioni i Konkurrencës ka nxjerrë në pah abuzime edhe me ndarjen e fondeve të FIFA-s dhe UEFA-s. Reka u shpreh se ka pasur mungesë transparence duke shmangur mundësitë e interesimit dhe përfitimit të fondeve dhe kështu duke ndikuar edhe te konkurrenca mes klubeve. Po kështu FSHF-ja sipas AK-së ka probleme në metodologjinë për përcaktimin e çmimit të biletave, ku Reka tha se Federatës i është lënë detyrë që të plotësojë metodologjinë.

“Duhet bërë e qartë se për çdo çmim që subjektet përcaktojnë, ka koston dhe përfitimin, nuk mund të mos ketë një metodologji duhet një e tillë për të përcaktuar një çmim bilete, sepse përmes kësaj mund të kuptohet nëse çmimi është i lartë apo abuziv. Përveç natyrës që ka Federata, pasi është i vetëm në treg, është monopol, mbart detyrimin nga ligji që të mos abuzojë me çmimet dhe natyra e çmimit të jetë drejt kostos,” – tregoi Reka teksa shtoi se Federatës i është lënë me detyrim që pas përcaktimit të metodologjisë ajo t’i paraqitet Autoritetit të Konkurrencës.

Autoriteti ka vendosur 120 ditë kohë që Federata të zbatojë kërkesat e saj në të kundërtën do të vendosë gjobë sa 5 për qind të xhiros ditore të FSHF-së. Reka theksoi se Autoriteti nuk ka synim marrjen e masave kundër Federatës por mundësimin sa më shumë të konkurrencës.

Kujtojmë se AK ka vendosur që FSHF:

të ndajë dhe reduktojë shitjen e të drejtave ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve dhe përmbledhjeve në një periudhe jo më shumë se tre vjet; të mos vendosë kritere kufizuese ndaj operatorëve të tjerë që kërkojnë të drejta transmetimi; të përfshijë Ligën Profesioniste në rol aktiv në vendimmarrje në shitjen e të drejtave televizive;
të ndajë me transparencë dhe në prani me Ligën Profesioniste fondet dhe të ardhurat sipas destinacionit të përcaktuar nga FIFA dhe UEFA; të ndjekë procedurë transparente në zgjedhjen e sponsorëve duke siguruar konkurrencë; të shmangë lidhjet e drejtpërdrejta apo të tërthorta pasurore me sposnorizuesit; të shmangë lidhjet me përfaqësuesit ligjorë; të vendosë metodologji për përcaktimin e çmimit të biletave;

Autoriteti do t’i ndjekë zbatimet e këtyre kërkesave për së paku dy vite.