Chen Jifang shkon në palestër çdo ditë, dhe qëndron atje për të paktën dy orë, e këtë e provon edhe fiziku i saj. Afër të 70-tave, ajo shihet si një shembull ndricues në një kohë kur Kina urdhëron popullatën e saj të stërmadhe të jetë në formë dhe të humbasë peshë. Gjyshja nga Shangai është bërë e famshme muajt e fundit pasi dashuria e saj e re për të punuar me trupin, pushtoi faqet e gazetave kombëtare. Pasi shkoi për të parën herë në palestër, në dhjetor 2018, Chen humbi 14 kg në tre muaj dhe tani bën ushtrime si ato që sheshojnë barkun dhe tonifikojnë muskujt, që edhe njerëz dekada më të rinj se ajo do ti dëshironin.
Ajo ka edhe shumë fansa në median sociale, mbi 410 mijë ndjekës në TikTok, që ndjekin me interes ushtrimet e saj rutinë. Veç të tjerash ajo inkurajon të tjerët të ndjekin shembullin e saj. Një postim në aplikacionin e ndarjes së videove, e pensionistes që bën një seri ushtrimesh, është parë më shumë se një milionë herë.
“Unë do të punoj me trupin tim sa të jem gjallë”. Media shtetërore e ka raportuar historinë e saj me kënaqësi pasi ajo i shkon përshtat qasjes së qeverisë për të inkurajuar njerëzit e të gjithë moshave të dobësohen. Ai mesazh është amplifikuar këtë vit nga supozimet se të qenit i dobët është një mënyrë që ndihmon në mundjen e koronavirusit.