Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) po mbështet fermerët për zgjerimin e investimeve në serrat e prodhimit bujqësor. USAID bën të ditur se, granti i investimeve mundëson që ndërmarrjet e serrave në Shqipëri të zgjerohen dhe të shtojnë prodhimin e tyre. Me financimin e USAID, projekti SmartCapital mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri. Një nga përfituesit e saj, një ndërmarrje serrash (“Danish Green Garden”) që operon në Fier, Shqipëri për gati një dekadë, së fundmi siguroi një grant investimi prej 270 mijë USD për të prodhuar produkte të freskëta për eksport, kryesisht në Danimarkë. Me këtë grant, ndërmarrja do të zgjerojë dhe ndërtojë hektarë të rinj me serra dhe do të përmirësojë aftësitë e saj teknologjike.

Prodhimi bujqësor në serra ka ardhur në rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Në harkun kohor të 9-të viteve të fundit, prodhimi bujqësor në serra u rrit me mbi 80 mijë tonë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, prodhimi bujqësor në serra në vitin 2010 shënoi 66.000 tonë ndërsa në 2019 ky tregues u rrit në 147.913 tonë. Paralelisht me rritjen e prodhimit bujqësor vendas, po zgjerohen edhe e eksportet e këtij sektori në tregjet e huaja.

Investimet kryesisht në prodhimin në serra që siguron prodhim bujqësor përtej sezonit dhe rritja e standardeve për këto produkte ka rritur eksportet dhe të ardhurat në familjet fermere, por edhe në ekonominë e përgjithshme. Ekspertët shprehen se, politikat lehtësuese fiskale, por edhe mbështetja me fonde përmes programeve të ndryshme dhe specifikisht subvencionimi i TVSH-së për plastmasin e serrave, nga Skema Kombëtare, ka rritur interesin e fermerëve për shtrimin e sipërfaqeve të mbjella me produkte bujqësore. Ndërsa vetë fermerët po bëjnë edhe zgjedhjen për kulturat që preferojnë të kultivojnë më shumë, të cilat janë më të kërkuara edhe në tregjet e huaja, prej të cilave sigurojnë edhe më shumë të ardhura. Vetëm gjatë vitit të fundit prodhimi i perimeve të freskëta në fushë u rrit me 1,24%, ndërsa gjeografia e shteteve ku eksportohet po zgjerohet në të katër kontinentet.