Ato janë të paktën pesë. Të evidentuara më shumë se të tjerat, në radhët e Partisë Demokratike. Kjo nuk e përjashton mundësinë, që të jenë edhe më shumë se kaq. Fakti që këto njihen me gishtat e njërës dorë, tregon se të tjerat nuk janë përpjekur ende sa duhet, për tu evidentuar. Nuk janë lojtare të “All Stars Game” që luftojnë për shiritin e kapitenes së ekipit. Sepse nuk bëhet fjalë për sportin, por për politikën. Ato janë: Grida Duma, Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Orjola Pampuri dhe Ina Zhupa.

Përveçse janë pjesë e strukturave të PD, të gjitha kanë edhe një gjë të përbashkët. Secila duket se synon kurorën e zonjës apo zonjushës së parë të kryeqytetit, në hierarkinë e politikës opozitare. Nuk është se e thonë, por e dallon rivalitetin e tyre që larg, kur i sheh sesi komportohen në media apo rrjetet sociale. Ambicja e shkruar “në ballë” është ajo që i bashkon por edhe i ndan në këtë objektiv. Sepse të jesh e para e Tiranës, nuk është pak. Përkundrazi. Mund të jesh një kandidate potenciale në garën për të rivalizuar nesër Erion Veliajn, për kreun e bashkisë së Tiranës.

Deri atëherë është larg dhe fokusi tani është tek lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e reja parlamentare të 25 prillit 2021. Ku secila prej të pestave, duket se synon që të jetë në mos e para në listë, e para ndër të gjitha rivalet për rolin, peshën dhe rëndësinë gjatë fushatës përkrah Lulzim Bashës.

Grida Duma është identifikuar herë si politikane e Tiranës dhe herë e Durrësit, meqenëse në zgjedhjet e 2015 kandidoi përballë Vangjush Dakos në garën lokale, për kreun e bashkisë së vendlindjes së saj. Në 2017 ishte e katërta në listën e deputetëve të qarkut të Tiranës. Por me sa duket pozicionimi pas Oriola Pampurit dhe Rudina Hajdarit që ishin renditur më përpara, nuk e kënaqin një politikane me ambicjen e saj. Profili prej zëdhënësje fushate, mund ta favorizojë, por mund të jetë edhe pika ku mund ta luftojnë më shumë e më mirë.

Albana Vokshi është një nga politikanet më jetëgjata të PD dhe shumë aktive kur vjen puna për çështje sociale dhe arsimit, duke qenë se ka drejtuar komisione parlamentare dhe fokusuar mbi këto tema. Rivalitetin më të madh, duket sikur e ka me Grida Dumën, që ka nisur ta bezdisë duke u futur në “sinoret” e saj. Për shkak se në listën e kandidateve për deputetë të PD në zgjedhjet e 2017, për Tiranën, ishte e renditur pas saj. Pika më e fortë; statusi i qëndrestares. Por shijet politike të Bashës duket se janë të tjera.

Jorida Tabaku duket më ambiciozja mes “pesëshes”, por duke patur vetinë që ta fshehi këtë, pas një veli pafajësie. Është një prej më të kuotuarave në radhët e strukturave të PD Tiranë, për shkak të mbiemrit që e lidh me një prej lagjeve më të vjetra të kryeqytetit, që po bëhet më kozmopolit me kalimin e viteve. Ka ardhur duke forcuar profilin e saj ekonomik në politikë, duke qenë nga të paktët në radhët e opozitës që mundohet të meret me faktet dhe jo me emrat e kundërshtarëve. Por, duket njësh për të qenë dysh.

Orjola Pampuri bëri shumë zhurmë në fushatën e zgjedhjeve të 2017, kur emri i saj u rendit e para ndër të gjitha gratë dhe vajzat e PD, pjesë e listës së kandidatëve për deputetë. Më shumë sesa për meritë të saj, duket e përzgjedhur për shkak të preferencave të Kryetarit Lulzim Basha, që vazhdon ta pompojë artificialisht. Mungesën e gjenerimit të ideve politike dhe artikulimit publik, është munduar që ta kompensojë me militantizëm ekstrem fals, duke bërë gafa të tmerrshme që do të vinin në siklet këdo.

Ina Zhupa është më aktivja prej pesëshes, sepse është jashtë listës së deputetëve të deridjeshëm, ndaj i duhet të “vrapojë” më shumë se katër konkurentet e tjera, për tu bërë pjesë e Parlamentit të ri. Është zëdhënëse e PD, detyrë të cilën ndër vite e kanë mbajtur dhjetra të tjerë, të cilët i bashkon fati se të gjithë kanë patur eksperienca shumë të shkurtra në këtë funksion. Po lufton kundër këtij “mallkimi” duke bërë reporteren e lajmeve opozitare ndaj Bashkisë së kryeqytetit dhe jo aspiranten për politikane.

Kush do ia dali prej të pestave?

Nuk është çudi që të gjitha të jenë në listën e kandidatëve për deputetë. Por, ato më shumë se për këtë, duket se po luftojnë për kurorën e shoqërueses së parë të Lulzim Bashës në garën për Tiranën sot, si rruga më e sigurtë në garën për gjithë Shqipërinë, nesër. Për të zëvendësuar Jozefina Topallin dhe Majlinda Bregun brenda të djathtës shqiptare. Ndryshimi është se të dyja u bënë vetë, kurse “pesëshja” e re, duket si eksperiment për të përmbushur nevojën ulëritëse të opozitës për një profil të spikatur politik. Alpenews.al/