Shqipëria ka pësuar humbje të thellë mbrëmjen e djeshme nga Lituania. Shqipëria ka lëshuar tri pikë të arta në shtëpi, pasi shihej favorite, duke pësuar humbje me rezultat minimal 0-1 nga Lituania. Pas fitores 0-2 në Bjellorusi, Kombëtarja shqiptare kërkoi pikët e plota në Air Albania kundër Lituanisë, për të qëndruar në krye të Grupit 4 të Ligës C.

Por, kuqezinjtë zhgënjyen me paraqitjen duke pësuar humbje 0-1 nga Lituania. Donatas Kazlauskas shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së Shqipërisë dhe daljes së gabuar të Thomas Strakoshës, për të realizuar golin e fitores për të tijtë. Deri në fund, Shqipëria u mundua me të gjitha forcat, por nuk arriti që të gjejë të paktën golin e barazimit. Pas kësaj humbje, Shqipëria renditet e dyta në Grupin 4 të Ligës C, me 3 pikë.

Rikujtojmë se prej katër vitesh Lituania nuk ka fituar në asnjë ndeshje zyrtare, ndërkohë në rrjetet sociale po qarkullojnë zëra se rezultati i ndeshjes ka qenë i paracaktuar.