Listat e hapura dhe draftet e propozuara janë kthyer në ngërç për procesin e reformës zgjedhore. Opozita jashtëparlamentare kërkon rekomandimet e ODIHR ndërkohë që për draftin e propozuar nga PS thonë se nuk i hapin 100 përqind listat. Deputeti Alket Hyseni u shpreh në Report Tv se modeli i listave është marrë nga vendet e huaja dhe se janë 100 përqind të hapura, ndërkohë që apelojë se nuk do të prisnin pafundësisht opozitën për të bërë ndryshimet kushtetuese.
“Ne i hapëm pasi një pjesë e madhe e opinionit publik e kërkonte. Ishte një çështje që nuk e menduam në fillim. Tashmë listat janë 100 përqind të hapura. Në Kushtetutë ka një parashikim, jo më pak se 2/3 por me draftin e propozuar listat hapen 100 përqind. Nuk i duhet askujt që të marrë më shumë vota se partia. Ka lidhje proporcionalisht me numrin e mandateve që merr partia. Herësi do të dalë nga votat që merr partia, do të pjesëtohet me numrin e mandateve dhe do të dalë një numër votash. Dikush që do të kalojë listën duhet të marrë qoftë dhe një votë më shumë. Është totalisht e mundur, nëse është dikush që ka integritet, nëse partia ka marrë një numër votash dhe ka kandidatë 10, do të pjesëtohet me 10 dhe një nga këta persona që ka marrë më tepër se kaq vota do të jetë brenda listës. Nuk mund të shtiremi. Në të gjithë botën demokratike, janë partitë politike që paraqesin emrat. Zgjedhësi nëse kanë një dëshirë për të paraqitur një emër jashtë partive politike e kanë këtë haprësirë më vete. Partitë politike pasi bëjnë sondazhe të caktuara, mbi kandidatët kanë mekanizma për prodhimin e kandidatëve. Janë persona që janë filtruar nga baza, janë bërë verifikime. Kanë qëlluar që dikush nga kandidatët kanë pasur probleme” – tha Hyseni.
Hyseni tha se aktualisht në opozitën e bashkuar situata është tripolare ku përveç kryetarit Basha dhe ish kryetarit Berisha ka ndërhyrë dhe Presidenti Meta.
“Ata kanë një situatë tripolare dhe nuk ka një vendimmarrës. Kanë një kryetar, Lulzim Bashën, kanë liderin historik, Berishën si dhe Metën. Ne nuk po dalim me ide që i kemi shpikur ne. Janë formula që aplikohen nga vendet e tjera. Mendoj se do t’i pranojnë.” – tha Hyseni.