Ardhja e dimrit, me shirat e shumtë të kësaj stine, ka qenë për çdo vit një problem i madh për banorët e Kamzës, një pjesë e mirë e së cilës përmbytej, në mungesë të një kolektori kryesor si dhe sistemit të kanalizimeve. Zonat e Bathores, Frutikulturës, Laknasit etj kanë qenë për vite me radhë zona të rrezikuara nga përmbytjet. Ndërkohë që mungesa e ujit të pijshëm ka qenë një tjetër vështirësi e madhe për banorët e kësaj bashkie. Në fundshtatorin e vitit të kaluar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ishte në drejtim të një aksioni në terren, për të shmangur përmbytjet në zonën e Laknasit, pas një stuhie me reshje të dendura. Një vit më pas, ministrja Balluku është rikthyer në Kamëz për të inspektuar punimet, që kanë nisur prej dy muajsh, për sistemin e ri të kanalizimeve të kësaj bashkie, që do të shmangin përfundimisht problematikën e përmbytjeve si dhe punimeve për ujësjellësin e ri.

Aktualisht një investim i rëndësishëm prej 13.4 milionë eurosh në total është duke u kryer në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në Bashkinë e Kamzës. Investimi përfshin punimet për rikonstruksionin e ujësjellësit të Kamzës, ndërtimin e ujësjellësit të Zall Mnerit, si dhe sistemimin e gjithë rrjetit të kanalizimeve të bashkisë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i AKUM, Alqi Bllako, kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli dhe deputeti, Eljo Hysko inspektuan kantieret ku po punohet për përfundimin në një kohë sa më të shpejtë të këtyre investimeve.

Për sistemimin e rrjetit të kanalizimeve parashikohet ndërtimi i dy kolektorëve kryesorë, një me gjatësi 3.9 kilometra, i cili mbulon zonën e Bathores dhe Frutikulturës dhe një kolektor i dytë me gjatësi 4.2 kilometra, i cili mbulon zonën e Laknasit. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin edhe të lidhjeve sekondare dhe terciare. Kryebashkiaku Rakip Suli i cilësoi investimet që po realizohen në Bashkinë e Kamzës, me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, si investimet më të mëdha të realizuara në 30 vitet e fundit. “Ky investim ka shmangur faturën ekonomike çdo vit për çdo familje. E dyta, nëse flasim për pandeminë, këtu ka qenë sëmundje e gjallë, sepse bashkoheshin ujërat e zeza dhe ujërat e bardha. E treta, vetëm ankthi që kanë përjetuar këta njerëz, sot ka marrë fund”, u shpreh Suli. 53 mijë banorë do të përfitojnë nga rehabilitimi i sistemit të kanalizimeve, duke shmangur në këtë mënyrë përmbytjet e përvitshme të banesave. Një investim, i cili parashikohet të përfundojë vitin e ardhshëm.

“Ky është një investim padyshim shumë i rëndësishëm, një investim që rrit nivelin dhe cilësinë e jetesës së banorëve të zonës. Nuk duhet harruar fakti, që Kamza në vitet ‘90-’92 numëronte rreth 12 mijë banorë, ndërkohë që sot që flasim, ne kemi 95 mijë banorë në zonën administrative të Kamzës. Kështu që ndërhyrjet në kanalizime, përmirësimi i sistemeve higjienike për të gjitha banesat, mbi 11 mijë lidhje, që do të bëhen në sajë të këtij projekti, janë shumë të rëndësishme për të ndryshuar totalisht Kamzën”, u shpreh Balluku. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal edhe në punimet që po bëhen për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, prej të cilit përfitojnë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm afro 21 mijë banorë.

“Një nga pesë shtyllat strategjike të Qeverisë Shqiptare është ajo e ofrimit të ujit të pijshëm 24 orë pa ndërprerje në të gjitha zonat urbane dhe më pas ato rurale, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Është diçka, që ne e kemi nisur, jemi duke punuar seriozisht dhe kemi mbi 90 kantiere të hapura në të gjithë Shqipërinë në këto momente, të cilat duhet të përfundojnë gjatë pranverës së vitit 2021 ose në përfundim të vitit 2021. Programi, i cili po aplikohet këtu në Kamëz është një program i rëndësishëm, është ai i infrastrukturës bashkiake, programi IV”, nënvizoi ministrja Belinda Balluku. Projekti për ujësjellësin e Bashkisë Kamëz përshin ndër të tjerash ndërtimin e 1.8 kilometrave rrjet i ri transmetimi nga burimet malore të Bovillës së vjetër, ndërtimin e afro 49 kilometrave rrjet i ri i brendshëm, instalimin e sistemit SCADA si dhe instalimin e afro 6 mijë ujëmatësave për abonentët. Gjithashtu është duke u investuar edhe në ujësjellësin e Zall Mnerit ku parashikohet ndërtimi i afro 5.2 kilometrave rrjet shpërndarës, rikonstruksioni i depos së ujit si dhe i pusetave të manovrimit.