Ish-anëtarja e Kryesisë së PD-së, Endira Bushati, tha se pjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet paralamentare të 25 prillit është një lajm i mirë. Ajo deklaroi se ajo që është kontradiktore dhe qesharake në qëndrimin e Lulzim Bashës, është që nga njëra anë thotë se do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do t’i fitojë, por nga ana tjetër thotë se ato do të blihen me paratë e drogës. Sipas saj, opozita e ka të vështirë të marrë një rezultat pozitiv në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Arrin opozita zyrtare ta përfshijë këtë fron dhe ta përkthejë në votë kundër Ramës. Unë besoj se një gjë e tillë nuk do të arrihet as në zgjedhjet e ardhshme. Unë nuk besoj se PD del parti e parë në zgjedhje”, deklaroi ajo në emisionin “Tempora”, në Rtv Ora, ndërsa tregoi edhe gabim e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Nëse do të flasim për faj të Berishës, mund të themi se është zgjedhja e Bashës në kreu të PD-së. Unë kam dashur që Basha të vinte në krye të PD, por Basha i zhgënjeu të gjitha pritshmëritë. Dhe në demokraci, kur zhgënjen, duhet të largohet”, theksoi Bushati. Më tej, ajo dha edhe një këshillë për kryetarin e PD-së Lulzim Basha.
“Unë nuk mendoj se do të ishte efektive heqja e Bashës nga kreu i PD-së 7 muaj para zgjedhjeve, por unë mendoj se fronti opozitar është shumë më i gjerë se opozita zyrtare dhe kërkon që për rrëzimin e Ramës, një figurë për kryeministër që e përfaqëson frontin opozitar, është do të isha për këtë zgjidhja. Të heqë dorë nga kandidatura për kryeministër dhe të gjendet një figurë që kënaq gjithë faktorët opozitarë në shoqëri në mënyrë që të rrëzohet Rama”, nënvizoi Bushati.