Sipas sizmiologëve, lëkundjet sizmike të ditëve të fundit nuk duhet të jenë motiv për frikë apo panik në rradhët e qytetarëve. Ekspertët shprehen se vendi ynë klasifikohet tek zonat me aktivitet sizmik të konsiderueshëm, ndaj edhe fenomene të tilla mund të konsiderohen normale.
Profesori Llambro Duni sqaron se lëkundjet e njëpasnjëshme në vendin tonë nisën mëngjesin e së enjtes dhe kanë vazhduar përgjatë gjithë asaj dite. Por, ai thotë gjithashtu se kjo është një vatër e re dhe nuk ka lidhje më atë të 26 nentorit.
“Seria e re e ngjarjeve sizmike ka filluar dje në mëngjes në orën 01:25 me një tërmet të madhësisë 4.5, në veri të Cërrikut. Është pasuar nga dy ngjarje të tjera më të vogla, dhe dje në mbërmje ka pasur një ngjarje tjetër të madhësisë 4.2 e cila është pasuar me disa lëkundje më të vogla. Tërmetet e djeshme nuk kanë lidhje me vatrën e ekspozuar në nëntor të vitit të kaluar, por është një vatër e re”.
Pavarësisht shqetësimit të qytetarëve, sizmiologët kërkojnë prej tyre të jenë të qetë.
Nderkohë, nga ana e Institutit të Sizmiologjisë, në mënyrë të vazhdueshme bëhen kontrolle në stacionet sizmiologjike të vendit.
“Ne bëjmë kontrolle rutinë në stacionet tona, me qëllim që ato të jenë në gjendje pune. Kjo po ndodh aktualisht, monitorojmë çdo ngjarje që ndodh”.
Edhe njëherë, specialisti përsërit se tërmetet janë të paparashikueshëm. Ndërkohë, lidhur me aplikacionet, profesor Duni shprehet se qytetarët nuk duhet të panikosen. Ai këshillon gjithashtu që për bazë të merren informacionet e institucioneve zyrtare.