Një sërë kompletesh testimi të cilësisë së ujit iu dhuruan dy shkollave në Bashkinë e Pustecit për të mbështetur mësuesit të organizojnë klasa mësimi në natyrë me nxënësit.

Kitet do të mundësojnë që nxënësit të masin vetë statusin kimik të ujit, duke i bërë më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit të Liqenit të Prespës.
Gjatë një trajnimi të mësuesve për mënyrën e përdorimit të kompleteve, Ivan Terpo, shefi i departamentit të shkencave të shkollës Pustec tha se disa nga këto pajisje dhe materiale për edukimin shkencor në praktikë mungonin më parë, kështu që mësuesit e kimisë mund ta konsiderojnë veten të “kompletuar” për të zhvilluar praktikat mësimore.

Komplete të tjera iu dhuruan Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Korçës për të mbështetur gjithashtu përpjekjet e tyre në aktivitetet e edukimit mjedisor.
Ky aktivitet u mbështet nga Projekti Rajonal i financuar nga Qeveria Gjermane dhe zbatuar nga GIZ “Ruajtja dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në Liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës / Skadar”, në mbështetje të edukimit mjedisor të fëmijëve në Bashkinë e Pustecit.