Jurgen Klopp i ka premtuar Liverpoolit se nuk do ta marrë drejtimin e asnjë klubi në botë menjëherë pasi të largohet nga Anfield. Trajneri gjerman Jurgen Klopp ka thënë se do ta marrë një vit pushim kur t’i vijë fundi kohës së tij në Liverpool, transmeton Gazeta Express.
Klopp, i cili u emërua trajner i të kuqve më 2015, kishte deklaruar në të kaluarën se më 2022 do ta merrte një pushim nga futbolli, por në dhjetor të vitit të kaluar ai u pajtua ta zgjatë kontratën me Liverpoolin deri më 2024. 53-vjeçari është i gatshëm të qëndrojë në Liverpool edhe pasi t’i mbarojë kontrata por këmbëngul se, pavarësisht se çfarë ndodh, ai nuk do të ngutet për ta pranuar menjëherë një punë tjetër kur të largohet nga Merseyside.
“I kam edhe katër vjet në kontratë dhe katër vjet duken si të përjetshme në futboll. Shumë gjëra mund të ndodhin gjatë kësaj kohe. Nëse nuk e ripërtërij kontratën pas katër vjetëve, do të shkoj në pushim”, tha Klopp. “Kur të largohem nga Liverpooli, nuk do ta pranojë asnjë punë të nesërmen. Këtë e them me siguri. Do ta marr një vit pushim pasi të largohem nga Liverpooli”, shtoi ai.