Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë qëndrimit zyrtar në Shkup, zhvilloi edhe disa takime me krerët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Së bashku me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, Kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilal Kasami, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, si dhe Kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, vlerësuam rolin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e demokracisë së brendshme, procesin e anëtarësimit në NATO dhe rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian”, tha Cakaj. Ai theksoi se “përtej dallimeve politike, kontributi i faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në mbrojtjen e interesave kombëtare, zhvillimin e përgjithshëm institucional dhe ruajtjen e drejtimit euroatlantik të vendit, mbetet i patjetërsueshëm”.