Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se SHBA-ja kërkon nga qeveria bjelloruse që t’i japë fund menjëherë shtypjes së protestave opozitare, të cilat janë rezultat i zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit ku Lukashenko fitoi mandatin e gjashtë si president. Duke folur sot në një konferencë për media, Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara, në konsultim me partnerët tjerë transatlantikë, është duke shqyrtuar sanksione të mundshme ndaj secilit që është përfshirë në abuzim të të drejtave të njeriut në Bjellorusi.
George Kent, që shërben si nën zëvëndës-ndihmës sekretar për politikat ndaj Bjellorusë, është shprehur se SHBA-ja do të vazhdojë të bisedojë me aleatët për t’u koordinuar për sanksionet eventuale ndaj atyre që kanë goditur protestuesit apo ndaj manipulimeve zgjedhore. Kent, duke folur në një konferencë në Uashington, u shpreh se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të kenë përgjigje të ashpër nëse Rusia ndërhyn në Bjellorusi.
“Qeveria e Lukashenko-s ka humbur gjithë legjitimitetin në sytë e popullit bjellorus” – tha George Kent. Qindra mijëra persona kanë dalë nëpër rrugët e Bjellorusisë ditëve të fundit për të protestuar rezultatet e manipuluara zgjedhore. Ata kërkojnë që 66-vjeçari të largohet nga pushteti, të lirojë të gjithë të burgosurit, si dhe të organizohen zgjedhje të lira dhe të drejta.