Qysh nga marrja e detyrës së Presidentit, në zyrën e Ilir Metës, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nuk kishte shkelur asnjëherë. Por mesditën e sotme Kryemadhi, e shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, ka shkuar në zyrën e të shoqit, i cili mban postin e kreut të shtetit, për tu konsultuar për datën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Për herë të parë kryetarja e LSI shkon personalisht tek Presidenti, ndërsa në rastet e tjera, ishte përfaqësuar nga zyrtarë të tjerë të partisë.

Në përfundim të takimit, Kryemadhi tha se zgjedhjet duhet të ishin mbajtur që në vitin 2017, kur opozita dogji mandatet. Ajo nuk propozoi ndonjë datë konkrete për votimet e vitit 2021, por tha se LSI do të zbatojë cdo dekret të Presidentit. Më herët Meta priti në takim Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të partive të vogla opozitare. Mësohet se në takim Rama është shprehur i hapur për çdo datë, me përjashtim të 2 majit, kur janë Pashkët ortodokse. Ndërkohë partitë e vogla opozitare kanë propozuar 18 majin si datën më të mundshme.

Në 17.30 pritet të shkojë në Presidencë edhe përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, duke përmbyllur kështu konsultat e Presidentit. Pas këtyre konsultave kreu i shtetit pritet të dalë me një datë për zgjedhjet e vitit 2021.