Gjërat po bëhen të çuditshme! Ndërsa ne vazhdojmë të luftojmë me Covid-19, ekspertë të ndryshëm po bëjnë studime për çdo gjë që ka të bëje me pandeminë. Studimi më i ri tregon diçka të thjesht, por që shumë nga ne nuk e kemi menduar. Virusin e përhapin më shpejt ato që flasin me zë të lartë. Sipas studimit të ri, të folurit qetë dhe me zë normal, në krahasim me britmat, ul ndjeshëm shkallën e transmetimit të virusit.
Gjetjet, siç tregohet nga “The Atlantic”, bazohen në njohuritë ekzistuese që lidhen me transmetimin e koronavirusit, që thonë se virusi kryesisht përhapet përmes grimcave shumë të vogla të pështymës dhe se qëndrimi afër me një të infektuar rrit ndjeshëm shanset për tu prekur nga virusi. Studimi tregon se të folurit normal apo qetë zvogëlon transmetimin e virusit me 80% dhe duke mos folur fare ul me 98% mundësinë e transmetimit.

“Shanset për tu infektuar me Covid-19 do të uleshin ndjeshëm nëse njerëzit do të flisnin me zë të ulët, të paktën në hapësira publike. Diçka e tillë është e barabartë me vendosjen e maskës. Ky është fakt” tha Jose L. Jimenez, profesor në Universitetin e Kolorados i cili studion transmetimin e sëmundjes. Heshtja është e artë si një strategji antivirale kur mendon se koronavirusi duket se lëviz kryesisht përmes grimcave të pështymës që dalin kur teshtimë, kollitemi, flasim ose këndojmë. Disa prej këtyre grimcave janë mjaft të rënda dhe bien ose në një sipërfaqe afër ose në tokë. Pastaj janë grimcat e vogla, aq të vogla sa qëndrojnë në ajër për një kohë të gjatë.

“E vërteta është se nëse të gjithë pushojnë së foluri për një apo dy muaj, pandemia ndoshta do të zhduket,” tha Jimenez. Ndërsa ende thekson rëndësinë e distancimit, ai tregon se nëse ne flasim sa më pak me njerëzit, është më e vështirë për virusin të lëvizë midis njerëzve. Jimenez nuk është i vetmi që mendon kështu. Donald K. Milton, profesor në Universitetin e Maryland, i cili ka studiuar se si maskat kirurgjikale mund të zvogëlojnë përhapjen e virusit, thotë se heshtja dhe të folurit me të vogël dhe qetë janë mënyra shumë efektive për të zvogëluar transmetimin e Covid-19.