Drejtori i Përgjithshëm i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, i shoqëruar nga Ministri i Turizmin dhe Mjedisit Blendi Klosi ka shpërndarë në qytetin e Urës-Vajgurore dhe zonat kadastrale të kësaj bashkie certifikatat e pronësisë dhe lejet e legalizimeve. Lame ka shpërndarë në të gjithë territorin e bashkisë Dimal 140 Leje Legalizimi dhe 260 certifikata pronësie toke të përfituara nga Ligji 7501.

Drejtori i ASHK-së, Artan Lame ka theksuar në fjalën e tij se është mbyllur tashmë procesi i legalizimeve në qytetin Urë-Vajgurore dhe fshatrat Pashalli, Guri i Bardhë, Cukalat, Samaticë, Pobrat etj, pjesë e zonave kadastrale të kësaj bashkie. Lame ka deklaruar se pas përfundimit të këtij procesi të rëndësishëm do të fillojë procesi i verifikimit të tokës bujqësore. “Kadastrat do të fillojnë një proces të rëndësishëm atë të regjistrimit të tokës bujqësore në çdo fshat dhe kjo është edhe sfida më e madhe e Kadastrës. Njerëzit kanë nga 30 vjet që presin certifikimin e tokës një proces që filloi me ligjin 7501 dhe do të përmbyllet sot”,- ka thënë Lame.

Edhe Klosi, ka uruar të përfituesit e certifikatave të pronësisë që i hapin rrugën investimit në turizëm. Kryebashkiakja e bashkisë Dimal, Juljana Memaj u ka kërkuar të gjithë banorëve të fillojnë aplikimet për certifikimin e tokës deri në përfundimin e afateve të përcaktuara.