Si një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së, Shqipëria duhet të analizojë legjislacionin kombëtar dhe të përcaktojë nivelin e përafrimit me standardet europiane sa u takon politikave që inkurajojnë konkurrencën e ndershme, zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) dhe rritjen e investimeve.

Kapitulli 20 i acquis të BE-së është kapitulli i politikave industriale dhe sipërmarrjes. Politika industriale e BE-së kërkon të promovojë strategji industriale që rrisin konkurrencën përmes përshtatjes së shpejtë ndaj ndryshimeve strukturore, duke inkurajuar një mjedis të favorshëm për krijimin dhe rritjen e biznesit në të gjithë BE-në, si dhe investimet e brendshme dhe të huaja.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë përgjegjëse për përgatitjen e negociatave për kapitujt ekonomikë, ndër të cilët edhe kapitulli 20 me mbështetjen e projektit SANECA po drejton punën Grupeve Ndërinstitucionale të Punës (GNP) për analizimin 148 akteve rregullatore të vendit përkundrejt 33 akteve të acquis së BE në fushat e mësipërme. Analizat do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e prezantimit që grupi negociator shqiptar do të bëjë përpara përfaqësuesve të BE-së. SANECA është një projekt i financuar nga qeveria gjermane që zbatohet nga GIZ Albania. Qëllimi i asistencës që ofrohet për administratën publike shqiptare është përmirësimi i parakushteve për zhvillimin e negociatave me BE-në për kapitujt 1, 3, 20 dhe 28.