Përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri e ka konsideruar letrën e PD drejtuar OSBE/ODIHR si të njëanshme dhe retorikë politike. Gjate diskutimeve në Këshillin Politik, Gjiknuri tha se nuk mund të firmos letra të njëanshme.

“Nuk mund të firmos letra të njëanshme. Letra juaj është vazhdim i retorikës politike. Nuk keni sjellë asnjë draft e propozim konkret, nuk po sillni draft, nuk keni reflektuar. ODIHR i drejtohemi vetëm me produkt konkret. Pres propozimet tuaja konkrete për amendamentet. Tek ODIHR shkohet për mosmarrëveshjet për draftet, jo mosmarrëveshje teorike. Sipas 14 Janarit, ODIHR i kërkohet opinion për çështje të administrimit zgjedhor”, mësohet se ka thënë Gjiknuri.

Kujtojmë se Opozita e Bashkuar paraqiti në mbledhjen e Këshillit Politik një kërkesë konkrete për të marrë asistencën e OSBE\ ODIHR për disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord. Opozita thotë se deri tani, PS ka refuzuar t’i bashkohet kërkesës, duke përdorur “sovranitetin” si argument kundër përfshirjes së OSBE/ODIHR. Megjithëse thotë opozita, kjo është pjesë e marrëveshjeve për reformën zgjedhore.

5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita:

A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?
A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR.
A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?
A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?
Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?