Drita ka udhëtuar sot drejt Polonisë, ku nesër mbrëma do të përballet me Legia Warsaw, në një ndeshje të rundit të tretë kualifikues për Ligën e Evropës. Klubi gjilanas dje mori konfirmimin se u janë kthyer negative të gjitha testet e futbollistëve të vet për koronavirus, në prag të takimit me klubin polak. Kampionia e Kosovës Drita është në kërkim të më shumë historisë kur e viziton Poloninë për t’u përballur me Legia të enjten në rundin e tretë kualifikues në garën dytësore evropiane, raporton Gazeta Express.
Kaltërebardhët i kryen përgatitjet për këtë ndeshje në Durrës të Shqipërisë dhe e ka marrë dritën jeshile për të udhëtuar drejt Polonisë pasi nuk e ka asnjë rast me koronavirus në skuadër. Drita u nis sot nga aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza” dhe pritet të mbërrijë në Poloni në mesditë. Kjo është përballja e parë kokë me kokë mes Dritës dhe Legia. Drita u bë klubi i parë kosovar që arrin më së largu në një garë kualifikuese evropiane, rrethin e tretë, pasi e mundi klubin e shtetit fqinj, Sileksin në Shkup.
Klubi kosovar erdhi në kualifikime për Ligën e Evropës, pasi dështoi në kualifikime për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, duke e humbur ndeshjen e rrethit të fundit parakualifikues me rezultat zyrtar 3:0 kundër Linfield, për shkak të numrit të madh të lojtarëve të prekur me koronavirus. Drita është klubi i vetëm kosovar i mbetur në garë për ta siguruar pjesëmarrjen në një garë evropiane këtë vit, pasi Prishtina dhe Gjilani dështuan në rundet e kaluara.