Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, inspektoi sot nga afër zbatimin e masave anti-COVID-19 dhe ecurinë e procesit mësimor në disa shkolla në Durrës. “Isha vetë në disa shkolla të Tiranës për të parë nga afër se si zbatohen disa rregulla antiCOVID-19. Zgjedhja e shkollave ishte e rastësishme, vizita ishte e pa lajmëruar dhe mbeta e kënaqur, sepse gjeta një situatë shumë të mirë. Procesi mësimor zhvillohej rregullisht dhe masat ishin të gjitha të respektuara që në hyrje”, – theksoi Kushi.
Ministrja Kushi inspektoi shkollën artistike “Jan Kukuzeli” dhe shkollën 9-vjeçare “Jusuf Puka” ku u shpreh se “kemi ardhur sot në Durrës për të parë sesi zhvillohet procesi mësimor. Ishte një vendim shumë i rëndësishëm për të hapur shkollat, ne pamë edhe përvojat e vendeve të tjera por edhe u konsultuam me grupe ekspertësh qoftë nga shëndetësia, drejtorët e drejtorive arsimore, bëmë sondazhe të shumta dhe morëm vendimin që shkolla duhet të hapet. Por që të vazhdojnë të rrinë të hapura ne duhet patjetër të respektojmë rregullat antiCovid, në mënyrë që të vazhdojmë të vijmë në shkollë”.
Ministrja i këshilloi nxënësit të kenë kujdes jo vetëm brenda klasës dhe territorit të shkollës, por rregullat duhet t’i respektojnë dhe jashtë. Ministrja i tha fëmijëve që të ndjekin edhe RTSH shkollë, në rast se ndonjë prej tyre mungon për arsye të ndryshme mësimin që nuk e ndjek dot në klasë mund ta ndjekë nga RTSH shkolla, por edhe platformën “Akademi.al””. “Këtë vit jemi të kënaqur, sepse u zgjerua kategoria e nxënësve që përfitojnë libra falas. E kishim deri në klasën e 5 vitin e kaluar, tani deri në klasë të 7, plus edhe kategoritë e veçanta, familjet në nevojë, deri në klasën e 12-të. Kjo është një mbështetje për familjet, vetëm se nxënësit duhet të kenë kujdes t’i mbajnë mirë librat, që shokët vitin tjetër t’i gjejnë në kushte ato”, – tha Kushi.