Këtë vit fermerët krahas fondeve që po marrin nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2020, përfitojnë financim edhe nga programi IPARD II, thirrja e tretë e të cilit hapet në muajin tetor të këtij viti. Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote tha sot për ATSH-në se, “skemat e mbështetjes financiare nga Programi IPARD II, po avantazhojnë rritjen e prodhimit bujqësor vendas dhe kërkesa e fermerëve dhe agrobiznesit për të përfituar grante, për investime në këtë sektor, është në rritje të vazhdueshme”. Kote theksoi se, “thirrja e tretë për Programin IPARD II do të jetë për mekanikën bujqësore dhe teknologjitë në prodhim. Kriteret për të aplikuar janë, që fermeri duhet të jetë i regjistruar në QKB, të ketë NIPT dhe toka të jetë në emrin e aplikantit, ose të paktën të ketë një kontratë 10-vjeçare”.
57.68 milionë euro, ishte fondi në dispozicion të fermerëve në thirrjen e dytë të IPARD II, e ndarë kjo shifër në tre masa të ndryshme mbështetëse: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët: Qumësht, mish, fruta, perime, vresht. Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: Qumështi dhe përpunimi i qumështit, përpunimi i mishit, përpunimi i frutave dhe perimeve, vera.
Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve, Përpunimi dhe tregtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës); Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale; Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur): Turizmi rural dhe i Natyrës; Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale; Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures; Prodhimi i energjisë së rinovueshme.
Ndërsa në thirrjen e parë u angazhua një fond prej 20-22 milionë euro. Programi IPARD II bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian me një shumë totale prej 94 milionë euro dhe mbështet me grante investimet në sektorin rural shqiptar.