Mbrojtësi i Marseille, Alvaro Gonzalez, i ka zgjedhur rrjetet sociale për ta mbrojtur veten, pasi u akuzua për racizëm nga ylli i Paris Saint-Germain, Neymar, pas ndeshjes së tensionuar në Ligue 1. Paris Saint-Germain humbi 1:0 kundër Marseille, por ndeshja u prish nga skenat e shëmtuara në fund të takimit, pasi pesë futbollistë u përjashtuan me kartonë të kuq për shkak të përfshirjes në një përleshje në fushë, transmeton Gazeta Express.
Neymari ishte i fundit që u përzë nga fusha për shkak se e qëlloi me shpullë pas qafe Gonzalezin. Rrugës jashtë fushës, sulmuesi brazilian e akuzoi mbrojtësin spanjoll për racizëm. Por Gonzalez e ka mbrojtur veten, duke i mohuar akuzat për racizëm dhe duke i bërë thirrje Neymarit të mësohet ta pranojë humbjen në fushë përmes një reagimi në Twitter.
“Nuk ka vend për racizëm. Kam karrierë të pastër me shumë bashkëlojtarë dhe miq ditë për ditë. Nganjëherë duhet të mësosh si të humbasësh dhe ta pranosh disfatën në fushë. Tri pikë të mëdha sot, Forca I’OM, faleminderit familje”, shkroi Gonzalez në Twitter.