Bodø / Glimt është pengesa e radhës e Milanit për në fazën e grupeve të “Europa League”. Norvegjezët, të panjohur për shumicën, janë skuadra e momentit në kampionatin e tyre, duke kryesuar me 50 pikë në 18 ndeshje. Seria e pamposhtmërisë së tyre ka arritur në 20 ndeshje në total.

Për kuqezinjtë, raundi i tretë kualifikues është hapi i dytë drejt fazës së grupeve. Përkundrazi, Bodø tashmë ka luajtur dy raunde, për kuriozitet të dyja kundër skuadrave lituaneze; Zalgiris Kaunas dhe Zalgiris Vilnius. Të dyja i ka fituar pastër. Tani vjen testi më i vështirë. Milani vjen nga një javë e veçantë. Entuziasmi i fitores ndaj Bologna u daravit disi nga pozitiviteti i Leo Duarte me koronavirus, edhe nëse pjesa tjetër e ekipit doli negativ. Sidoqoftë, Pioli humbi një mbrojtës tjetër.

Të vetmit mbrojtës në dispozicion, deri në fund të muajit, do të jenë Gabbia dhe Kjaer, të cilët do të bashkohen përsëri këtë mbrëmje në “San Siro”. Sidoqoftë, asnjë lajm nuk pritet për pjesën tjetër të formacionit. Rebic do të mbetet ende jashtë, pasi duhet të vuajë pezullimin e gushtit 2019, kur ishte ende lojtar i Eintracht.
Përpara Donnarumma, çifti i lartpërmendur i mbrojtësve qendrorë, me Calabria dhe Theo në korsi. Në mesfushë, Tonali ende e fillon nga stoli, por ka hapësira për Kessié me Bennacer. Referenca ofensive do të jetë akoma Zlatan Ibrahimovic. Në mbështetje të suedezit llogariten Castillejo, Calhanoglu dhe Saelemaekers.

Ja formacionet e mundshme: MILAN (4-2-3-1): G. Donnarumma; Calabria, Kjaer, Gabbia, Theo Hernandez; Kessié, Bennacer; Castillejo, Calhanoglu, Saelemaekers; Ibrahimovic.

BODØ/GLIMT (4-3-3): Haikin; Sampsted, Lode, Höibraten, Björkan; Fet, Berg, Saltnes; Zinckernagel, Boniface, Hauge.