Ish-ministrja e Mbrojtjes, deputetja Mimi Kodheli është një prej nxënësve që dolën nga bankat e shkollës Jeronim de Rada. Pas 45 vitesh, ajo rikthehet sërish në shkollën e saj, por tashmë të transformuar tërësisht. “Kam shkelur 45 vite më parë në këtë shkollë. Këtu ka pasur disa shkallë. Më kujtohen shumë mirë sepse çdo mëngjes ngjitesha dhe i jepja forcën. Atëherë kohët ishin ndryshe.
Pastaj kam sjellë djalin tim në vitin e mbrapshtë ’97 dhe në dyert dhe në portat hyrëse të kësaj shkolle, kishte ushtarë të armatosur dhe policë. Ndryshimi është shumë i madh, por shumë i madh”, deklaroi Kodheli.
Nxënës në këtë shkollë ka qenë edhe deputeti tjetër socialist Ervin Bushati. “Ne jemi të gjithë të rritur këtu dhe kjo ka qenë një nga rrugët kryesore të Tiranës. E mbaj mend gjithmonë kështu shkollën “de Rada” me dashur. Mua më dukej shumë e madhe atëherë, por kur vij sot dhe e shoh dhe e kuptoj se sa shumë nevojë kemi pasur për këtë shtesën.
Me dimensionin që i jepet sot edukimit fizik për më tepër, kjo shtesë dhe kjo palestër që i shtohet do na bëjë shumë më efektiv, më të mirë, më të përgatitur si shoqëri që të vazhdojmë dhe të jemi një vend që në mes të Europës të jemi sa më shumë europianë më me progres”, tha ai.