Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë sot në takimin virtual të ministrave të Financave të thirrur nga zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Në këtë takim u ndanë përvojat e deritanishme mbi masat e marra për përballimin e efekteve në ekonomi, si pasojë e pandemisë COVID– 19.
Ministrja Denaj u shpreh se “theksuam nevojën për të mobilizuar burimet financiare për të arritur objektivat e Axhendës 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), me qëllim stabilitetin ekonomik në periudhë afatmesme e afatgjatë”. Denaj sqaroi se “informova homologët mbi nismat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, me fokus të veçantë incentivat fiskale në dobi të biznesit, skemat e nxitjes së punësimit dhe rikthimit të punë, si dhe ato në dobi të kategorive më në nevojë”.
“Ky takim i paraprin atij të nivelit të lartë politik, të krerëve të shteteve që do të mbahet më 29 shtator 2020”, – tha Denaj.