E Deleguara e PS-së për Qarkun Tiranë, Elisa Spiropali ka marrë pjesë sot në  Asamblenë Socialiste të Kavajës për të vijuar organizimin kapilar deri në fitoren e 25 prillit. “Kavajsit më mirë se kushdo e dinë ndryshimin mes nesh dhe opozitarëve tanë zhulmë-mëdhenj e punë-pak. Nga Saliu i Parë (I) e të gjithë me radhë, Kavajën e përdorin si slogan dhe e tundin si flamur. Në fakt e lanë pas një bastion të keqpërdorur, të painvestuar, të pazhvilluar”, tha ajo.

Në vijim, Spiropali tha se “për ne Kavaja është një bashki me potencial të jashtëzakonshëm. Qeveria dhe bashkia Kavajë, kanë investuar fuqishëm për t’i ndryshuar faqen. Siç e meriton qytetaria dhe njerëzit e kësaj zone të begatë. Ne jemi bashkë në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira. Vlerësimi i dëmit për çdo pallat dhe shtëpi, dëmshpërblimi për mijëra familje në kohë rekord, u pasuan nga Programi i Rindërtimit, një tjetër dëshmi e fortë se bëjmë çka themi”.

“12 shkolla të reja moderne, një zonë e re zhvillimore ku do të ndërtohen 7 pallate me 300 apartamente banimi dhe infrastrukturë shoqëruese, por edhe puna vijuese për ndërtimin e banesave individuale në bashkinë Kavajë Njësinë Administrative Golem, Luz i Vogël dhe Helmas janë prova e fortë se pushteti nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të arritur qëllimet”, tha ajo. Po ashtu, Spiropali tha se “investimet e qeverisë dhe bashkisë nuk do të ndalin për të tjera punë transformuese në Kavajë, ashtu siç ky vend i meriton dhe i ka pritur për kaq vjet, që nga koha kur shëtisnin këtej anëve punëhiçët që u ndëshkuan me votë dhe do të ndëshkohen sërish”.