Kreu i Demokristianëve, Nard Ndoka ka ironizuar qëndrimet e Jozefina Topallit kundër Partisë Demokratike dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Në një intervistë për mediat, Ndoka ka deklaruar se ish-kryeparlamentarja flet njësoj si të ishte në një helikopter dhe nuk ka asnjë lidhje me situatën politike. Ndoka i kujton Topallit se ka qenë vetëm një benjamine e Sali Berishës, e fshehur gjithnjë nën hijen e ish-kryeministrit, të cilit i ka shërbyer gjithë jetën e saj politike. Në fund, kryedemokristiani e sfidon ish-kryetaren e parlamentit që të mos fshihet duke bërë lojëra fjalësh, por të përballet me qytetarët.

“Topalli e shikon nga helikopteri situatën politike, nuk e pengon njeri që të shkojë te Hajdari apo Murrizi dhe ti bashkohet një formacioni politik. Nuk flitet sot për një politikane karriere, që ka pasur përgjegjësi të mëdha, dhe që ishte kryetare Kuvendi, nuk kemi një personazh që ka kërkuar standarde. Ka qenë një benjamine e ish-kryeministrit Berisha dhe është rritur gjithnjë politikisht nën hijen e tij. Politika është pjesëmarrje, nuk mund të bëjë rolin e gladiatorit duke gjuajtur me shigjeta këdo që nuk i pëlqen në politikën shqiptare. Do ta këshilloja zonjën Topalli që të aktivizohet në politikë, nuk mund të gjuajmë me shigjeta këdo që nuk na pëlqen, por të përballet me qytetarët, dhe të mos fshihet duke bërë lojëra fjalësh. Mund të jetë aktive dhe në vetë PD, mund të ndikojë që vendimarrja të jetë edhe në favorin e saj. Të japë kontributin e saj në demokratizimin e PD”, ka deklaruar Ndoka.

Kujtojmë se Topalli, që prej largimit të saj nga PD, ka nisur një fushatë sulmesh ndaj partisë që i dha postet më të larta.