Agjencia amerikane e Hapësirës (NASA) shpalosi zyrtarisht planin e saj për t’u kthyer në Hënë në vitin 2024. Në kuadër të programit të quajtur Artemis, i cili do të kushtojë rreth 28 miliardë dollarë, NASA do të dërgojë në sipërfaqen hënore një burrë dhe një grua. Do të jetë ky aterimi i parë i njerëzve atje qysh në vitin 1972.
Megjithatë, afati kohor i agjencisë do të varet edhe nga Kongresi amerikan, që pritet të lëshojë rreth 3.2 miliardë dollarë për ndërtimin e një sistemi të zbarkimit. Astronautët do të udhëtojnë me një kapsulë të ngjashme me Apollon e vitit 1972, por që quhet Orion dhe që do të niset nga një raketë e fuqishme e quajtur SLS. “Shuma prej 28 miliardë dollarësh përfaqëson kostot e katër vjetëve të ardhshëm në programin Artemis: financimin e SLS-së, financimin e Orionit, sistemin e aterimit të njerëzve dhe natyrisht kostumet hapësinore”, tha administratori i NASA-s, Jim Bridenstine.
“Kërkesa për buxhet që kemi përpara Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA-së tani është 3.2 miliardë dollarë për vitin 2021. Është shumë e rëndësishme që t’i sigurojmë ato 3.2 miliardë dollarë”, tha Bridenstine. Ai po ashtu tha se shpreson që ekipi që do të shkojë në Hënë, do të zgjidhet së paku dy vjet përpara misionit. Programi Artemis do të jetë misioni i parë që dërgon astronautë në sipërfaqen hënore qëkur Apollo 17 e ka bërë një gjë të tillë, rreth 48 vjet më parë.