Nga Mero Baze
Lulzim Basha po përpiqet të jetë sa më i paqartë se cfarë do bëj me ndryshimet në Kodin Zjedhor. Ai ka dy probleme për ta cilat shpreson ta ndihmojnë negociatat e zgjatura dhe debatet pa bukë. Problemi i parë i tij është si ti mbaj rrotull vetes aleatët që të mos krijojnë lista më vete PD, duke ndarë elektoratin dhe si të zvogëloj shanset e partive të reja nga e djathta që do të hyjnë në zgjedhje ku nënkuptohet Murrizi, Patozi, apo Hajdari.
Problemin e parë të tij, në dukje e zgjidh sistemi i listave teorikisht të hapura që propozon Partia Socialiste, i cili është një sistem shumë viskoz, që e ndryshon me vështirësi renditjen. Deri këtu ai mund ti mbaj me shpresa aleatët që tu thotë do jenë në zonë fituese. Por kjo ka një problem tjetër. Ata mund të krijojnë shumë reaksion brenda PD, dhe mund të motivojnë faktorë politik në PD që të marrin vota personale kundër tyre. Kështu ata mund të kthehen nga aelatë, në target sulmi brenda PD, duke shkatërruar praktikisht rednitjen e partisë dhe duke nxitur ndoshta kandidat potencial të PD, të shkojnë të kandidojnë me parti të tjera.
Probeliin e dytë atë të partive të reja opozitare, ai shpreson ta zgjidh me pragun kombëtar 3 për qind, i cili natyrisht i shkatërron ato. Por këtu Partia Socialiste duhet të zgjedh, nëse ndryshimet kushtetuese që i bëri me opozitën parlamentre, i bëri për ti ndihmuar ata, apo për ti shkatërruar për interesë të Bashës. Dhe ky pastaj është një debat i madh moral, por dhe me pasoja politike për besueshmërinë e procesit.
Ideal për Bashën është Kodi aktual dhe këtë e tha dhe sot Bylykbashi, por ai ka vdekur tashmë.
Ndaj Basha tani ka prioritet të shtyjë sa të mund debatin mbi Kodin, duke thirrur ODIHR dhe duke gjetur arsye të tjera, pasi kjo i jep shans vonesave dhe humbjes së kohës, dhe lë në fuqi kodin aktual. Nga ana tjetër ai e ka të nevojshme të jetë sa më i paqartë për qëndrimin e tij ndaj formulës së listave të hapura me qëllim që të shmang efektin e LSI brenda listës së PD, nëse nddoh koalicioni i madh opozitar.
Kjo ka bërë që LSI të shfaqet tashmë si dashnore e listave të hapura, biles ti kthehet dhe kërkesave të saj prej vitit 2017 për këtë cështje. Dhe këtu e ka të sinqert, pasi tipi i deputetit të LSI është i tillë që bazohet mbi motivimin e atyre që marrin më shumë vota, pasi nuk janë parti ideologjike por pragmatiste.
Ky proces duhet të mbyllet shpejt dhe PS duhet ta mbyll këtë proces me ata që e ka nisur, me opozitën parlamentare. Me Partinë Demokratike, PS nënshkroi marrëveshjen e 5 Qershorit dhe asaj po i qëndron.
Tani nuk duhet të humbas kohë me luhatjet e Bashës për të marrë vendime për reflektimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve Kushtetuese. Në këtë vendim PS duhet të ruaj qëllimin për të cilën nisën këto ndryshime dhe duhet të respektojë ata që ishin iniciatorë të këtyre ndryshimeve, që ishin grupi i opozitës parlamentare. PS nuk ka pse pret në besë opozitën parlamentare, pasi kjo gjë rrit dyshimet dhe humbet besueshmërinë e gjtihë këtij procesi. Mbi të gjitha nuk ka pse pyet Bashën për këtë gjë, se kjo nuk është një marrëveshje me Bashën. Ndryshe do humbas dhe kohë dhe besueshëmri të procesit. Pikërisht atë që do Basha.