Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e konsideron heshtjen e PD-së për ndryshimet e Kodit Zgjedhor si një garanci që PS të marrë mandatin e tretë qeverisës.
Në lidhje me ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, Topalli tha se “propozimet e fundit në Kodin Zgjedhor janë dëshpëruese, i mbyllën derën forcave dhe kandidatëve të rinj”.
“E keqja tjetër është heshtja e opozitës dhe kjo tregon se palët janë bashkë, kanë një marrëveshje të fshehtë, pas së cilës mes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor kërkojnë fortifikimin e pozicionit të tyre. Duket në fakt se është akti i dytë i marrëveshjes të 2017. Unë ka dyshuar vazhdimisht për një gjë të tillë, por propozimet e PS dhe heshtja e opozitës, do t’i japë Ramës mandatin e tretë”, tha ajo.
Në lidhje me deklaratën e liderit Basha kundër formulës së PS-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Topalli tha se një deklaratë e kujtdoqoftë s’është asgjë, për të ndryshuar gjërat pasi duhen bërë beteja. “Unë nuk shoh betejë, shoh vakanca të gjata pa asnjë deklaratë për një muaj e gjysmë dhe në fakt sjellja e tyre është një konfirmim përmes heshtjes”, u shpreh Topalli.
“Unë nuk gënjehem nga deklaratat aq më pak të Lulzim Bashës, sepse historia tregon se ai tregon të kundërtën e saj që ka bërë apo ka ndërmend të bëjë. Zhvillimi më absurd është vendosja e një kufiri të dyfishtë. Sistemi ynë elektoral është proporcional rajonal, gjë që parashikon pragun brenda rajonit. Vendosja e një pragu të dytë shtesë, pra vendosja e një pengese të re për çdo forcë politike, garanton ekzistencën e tre kryetarëve. Prandaj them se ata janë bashkë dhe është akti i dytë i marrëveshjes së 2017, dhe çon në një mandat të tretë Edi Ramën ose një bashkëqeverisje me të”, u shpreh Topalli.