Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti deklaroi sot se qëllimi i mazhorancës qeverisëse është që të ketë një dakordësi në Këshillin Politik.

“Është fakt shumë pozitiv që është mbledhur Këshilli Politik në pikëpamjen time pasi qëllimi ynë si mazhorancë qeverisëse është që një orë e më parë të ketë një dakordësi në Këshillin Politik, për aq sa të mundet, për variantin përfundimtar, për ato teknikalitete që kanë mbetur akoma pa u azhornuar në lidhje me Kodin Zgjedhor që është miratuar në paketën e 5 qershorit në seancën e 23 korrikut”, tha ai.

Ai u shpreh se, “do të shpresoja shumë dhe i nxis të gjithë pjesëmarrësit në Këshillin politik që të kemi një produkt përfundimtar që të kalojë përfundimisht në Kuvend dhe t’i hapet rruga një procesi zgjedhor normal për të gjithë shqiptarët”.

Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti deklaroi se Partia Socialiste e meriton mandatin e tretë qeverisës për të gjitha reformat që ka ndërmarrë këto vite.

“Për të gjithë atë që ka prezantuar kjo qeveri, për të gjitha reformat, sado të dhimbshme të kenë qenë, por që në plan afatgjatë janë ato që i duhen Shqipërisë, në frymën me partnerët tanë euro-atlantikë, jam i sigurt që kjo do të përkthehet në votë mbështetëse për qeverinë dhe mandatin e tretë të kryeministrit Rama”, tha Shameti.

I pyetur se çfarë ofron qeveria Rama në një mandat të tretë, Shameti tha se, “në mënyrë kategorike të gjitha ato dobësi, të meta, problematika, që janë vërejtur në vijimësi pas ndryshimit të sistemit në Republikën e Shqipërisë, qeveria Rama ka ditur t’i identifikojë dhe t’i paraqesë shqiptarëve më të mirën e të gjithë këtyre reformave të arritura. Si në fushën ekonomike ashtu dhe në drejtime të tjera. Kështu që jam i sigurt që me atë mënyrë sesi janë paraqitur, janë realizuar do të kemi dhe besimin e publikut shqiptar në zgjedhjet e ardhshme”.

Për luftën kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar, Shameti tha se është në qendër të vëmendjes së kësaj qeverie.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është një betejë që zhvillohet brenda një dite, brenda një sezoni dhe përfundon. Ky është një proces, është një fenomen që njihet në të gjithë botën. Kjo qeveri, ky kryeministër ka treguar të gjithë angazhimin për të bërë të gjitha përpjekjet për aq sa i takon qeverisë. Sepse janë një sërë organesh ligjzbatuese që bëjnë të kompletohet”, tha Shameti.

I pyetur për asamblenë e PS dhe nëse do të kemi ndryshime në kabinetin qeveritar, Shameti tha se, “kjo gjë nuk është gjëja më e rëndësishme në atë Asamble që shpresojmë do të zhvillohet në fillim të muajit tetor, pasi për shkak të masave kufizuese nga pandemia, për aspekte organizative është bërë dhe shtyrja e Asamblesë”.

Ai sqaroi se, “rëndësia më e madhe e asaj Asambleje ka të bëjë më së shumti me atë që është një Asamble Zgjedhore që në vijim të Kongresit Zgjedhor të PS do të bëjë dhe zgjedhjen e Kryesisë së re të partisë, të Sekretariatit dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste. Këtu qëndron dhe rëndësia më e madhe. Sa i takon ndryshimeve në qeveri nuk më takon mua të flas. Është në diskrecionin e Kryeministrit Rama. Është ai që çmon punën dhe veprimtarinë e secilit ministër, që në bindjen time ka qenë e jashtëzakonshme nga i gjithë kabineti qeveritar, më së shumti pas dy ngjarjeve që kanë të bëjnë me tërmetin dhe pandeminë”.