Komisioni i Ligjeve do të marrë në shqyrtim sot propozimet që janë bërë deri më tani për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në këtë mbledhje do të diskutohet drafti me propozime i depozituar nga PS. Në draftin e PS, parashikohet që të hapen listat 100%. Ndërsa pragun zgjedhor, PS e propozon të jetë 3% në rang kombëtar.

Propozimi tjetër që do shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve është i disa deputetëve të opozitës të cilët propozuan një formulë që i lejon kryetarit të partisë të mbyllë listat deri në 1/3. Sa i përket pragut zgjedhor, opozita parlamentare kërkon të jetë 1% në rang kombëtar. Ndër të tjera, sot do të shqyrtohet propozimi i deputetit Andi Përmeti që gjithashtu parashikon mbylljen e listave deri në 1/3 e saj. Ky propozim pritet t’i bashkëngjitet draftit të Partisë Socialiste.

Ndërkohë, diskutime do të ketë edhe për draftin e Nismës Thurje të depozituar nga deputeti Ralf Gjoni. Ndërsa mbrëmjen e së dielës, opozita e bashkuar hodhi në letër propozimet e saj, ku kërkonte ruajtjen e koalicioneve parazgjedhore si edhe hapjen e listave 100%. Drafti pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Politik.