Nga ARTUR AJAZI
Motua më e re e Lulzim Bashës për fushatën e ardhshme zgjedhore, për këdo “kandidat” të ri që do të filtrohet dhe do të shënohet si i tillë në listën finale, do të jetë “në njërën dorë mandatin, në tjetrën pallatin”. E bukur kjo, pasi edhe pse në opozitë, pasuria e ish-mandatdjegurve të Partisë Demokratike, pothuajse u trefishua. Dikush ka rritur me 10 fish depozitat në banka, dikush ka bërë pallate, dikush ngriti vila, dikush rriti sipërfaqen e resortit në bregdet, dikush rriti dhe zgjedhoi biznesin në zonat bregdetare kryesisht në zonën Durrës-Lalëz, Shingjin, Vlorë, e Sarandë, apo dhe dikush bleu vilë tre katëshe në fshat, buzë malit. Me këtë mendim dhe moto, Lulzim Basha, ka parashikuar dhe kërkon të “filtrojë” 300 emrat e listës për kandidatët e “rinj” për deputet, dhe tu kërkojë dhe prezantojë atyre sloganin “në njërën dorë mandatin, në tjetrën pallatin”. Daljet e shpeshta të ish-ligjvënësve demokratë javët e fundit, (madje thuhet se Lulzimi i kushtëzoi edhe vajtjet në plazhet jashtë atyre) janë shoqëruar nga tone të “forta”, duke dashur të tregojnë se “vërtetë po bëjmë opozitë, edhe pse nuk jemi në Parlament, edhe pse do të humbim sërish në 2021”.
Kjo fushatë dhe këto zgjedhje parlamentare, padyshim do të jenë me surpriza të këndshme dhe të pakëndshme për një pjesë të politikës. Kjo pasi do të ketë parti, që do të “shkrihen” përfundimisht. Dihet se Partia Demokratike , do të nisë fushatën dhe do të futet në zgjedhjet e 2021, si një forcë politike në tkurrje, e cila edhe pse për tetë vite në opozitë, nuk diti dhe nuk mësoi të bënte lojën e saj, nuk diti dhe nuk mësoi të gjente mënyrën dhe “shtegun” nga duhej të bënte për vehte shqiptarët, nuk diti dhe nuk mësoi, të moderonte strukturat e saj, duke krijuar rrjedhje të vazhdueshme të anëtarësisë dhe mbështetësve. Platforma dhe stradegjia e saj në bërjen e fushatës, nuk ndahet nga ajo që dikur-dikur , bënte Doktori, me të shara, me akuza , me britma dhe denoncime boshe, me skenarë të cilët në fund, rezultonin një bllof me kosto të lartë elektorale.
Nuk është as e rastësishme, dhe as e vështirë të konstatosh se, fryma që vetë Lulzim Basha përcjell tek çdo vartës, ish-deputet, madje dhe tek strukturat rinore të asaj partie të plakur disi, është spontaniteti i paramenduar. Kjo gjendet pothuajse në të gjitha reagimet dhe veprimet e sekretarëve të SHQUP-it. Mjafton tu bjerë në dorë një shkresë zyrtare me disa të dhëna, dhe pa mbushur orën, Lulzim Basha i nxjerr në media sejmenët e tij, që cicërojnë si me komandë, duke lëshuar akuza dhe denoncime kuturru. Pa menduar asgjë, dhe pa konstatuar asgjë, ata janë gati të shpallin “të denoncuar për korrupsion ” zv/ministrin, ministrin, kryeministrin, madje edhe ambasadorët e huaj, duke u bërë qesharakë në sytë e botës. Por gjithsesi motua e kësaj fushate, nga ku Lulzimi pret një “fitore historike”, do të lërë gjurmë për shumë kohë në PD. Pothuajse të gjithë “ata të listës” e kanë marrë seriozisht dhe kanë përveshur mëngët, për të zbatuar me dinjitet thirrjen e partisë “në njërën dorë mandatin, në tjetrën pallatin”. Shumica e tyre, besojnë se kjo, stradegji e re, do ti japë “pushtetin” Partisë Demokratike , në mos në 2021, në 2030 patjetër.