Nga Alfred Peza/
PS do të ketë përballë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, PD dhe LSI. Në listat e kandidatëve për deputetë që do dorëzohen në KQZ, do të jenë firmat e Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Por kjo është vetëm ana formale e këtij procesi. Sepse në të vërtetë, Kryeministri nuk do të ketë përballë nesër në garë, kandidatin për Kryeministër që pretendon të jetë Lulzim Basha. As aleaten e tij më të afërt, në qeverinë e ardhshme të supozuar prej tyre, Monika Kryemadhin. Edi Rama ka përballë këto ditë që ka nisur faza parapërgatitore e fushatës për zgjedhjet e pranverës së ardhshme, vetëm Sali Berishën dhe Ilir Metën. Vetëm ish Kryeministrin dhe Presidentin aktual.
Në mediat tradicionale, sistematikisht dhe rregullisht Kryeministrit nuk po i kthen përgjigje, kandidati për Kryeministër, por ish Kryeministri. Me Kryetarin e Partisë Socialiste nuk po debaton Kryetari “de jure” i Partisë Demokratike, por Kryetari “de facto” i saj. Në rrjetet sociale me Edi Ramën nuk po garon dhe konkuron Lulzim Basha, por “qytetari digjital” i Sali Berishës. Edhe friendsat, ndjekësit dhe folloëersat më të shumtë nga lidershipi opozitar, përballë liderit të mazhorancës nuk i ka lideri “de jure” i pakicës, por ai “de facto” i saj.
Kudo ku shkon nëpër Shqipëri Edi Rama, “që nga Shkodra e gjer në Vlorë”, nuk ka përballë Monika Kryemadhin por Ilir Metën. Në çdo qytet, fshat, rrugë, mal, fushë, lumë, gji deti, lapidar, përkujtimore, përvjetor, sebep lokal dhe festë fetare apo krahinore shkon vetëm Kryetari i Shtetit. I cili flet si lider politik. Si bashkëkryetar opozite. Si lider minorance. Si udhëheqës partiak. Si palë dhe jo si një njeri mbi palët, sipas përcaktimit që Kushtetuta i bën Presidentit të Republikës.
Është hera e parë në këto 30 vjet pluralizëm, që ndodh kjo gjë, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Është hera e parë që lideri i mazhorancës, të tjerë kundërhstarë ka përballë me letra dhe krejt të tjerë në praktikë përballë tij. Të tjerë liderë ka kundërshtarë teorikisht dhe krejt të tjerë, praktikisht. Vetëm opozita aktuale ka luksin e shfrenuar pas 8 vjetësh qëndrimi në opozitë, që të hyjë në garë me liderë të tjerë dhe të komandohet nga të tjerë. Në rast humbje, fatura pritet ti shkojë Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Ndërsa në rast fitore, kurorat e dafinës pritet ti vendosin mbi kokë, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Njëri me projeksionin për tu bërë sërisht President, e tjetri në mos Kryeministër, të paktën zv. Kryeministër dhe ministër i Brendshëm, siç ka qejf ta emërojnë që sot mediat pranë tij.
Në këto kushte, është mirë që tani që shqiptarët ta dinë se nesër në pushtet, po tentojnë që të rikthehen sërish edhe pas 30 vjetësh Sali Berisha dhe Ilir Meta. Kjo duhet thënë me gojën plot, me zë të lartë dhe çdo ditë papushim. Është shumë e rëndësishme sot, që njerëzit të kuptojnë, se për kë do të votojnë pas 6-7 muajsh. Pas kësaj, qartësohet gjithnjë e më shumë, se shqiptarët janë përballë alternativës: Ose Edi Rama dhe Partia Socialiste fitojnë mandatin e tretë dhe qeverisin deri më 2025. Ose vitin e ardhshëm rikthehet sërisht në pushtet Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Ndërsa gjithë të tjerët që janë aleatë me ta, që nga Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Dash Shehi, Nard Ndoka, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Fatmir Mediu janë rrethi i dytë i pushtetit të ëndërruar. Rrethi i tretë, janë të gjithë ish ministrat e qeverisë së 2013, që ikën me turp nga pushteti. E kështu me radhë ish deputetët e mandateve të djegura. Ish kryetarët e bashkive që bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Vetëm ish, ish, ish… dhe “asgjë e re nga fronti opozitar!” Ngado që ta rrotullosh, ata që sot kontrollojnë dhe komandojnë opozitën, do të kontrollojnë nesër edhe qeverisjen e ëndërruar. Alternativa e re opozitare, është riciklimi i Sali Berishës e Ilir Metës, edhe pas 60 vjetësh sëbashku në politikë. A janë gati shqiptarët në 2020, që ti votojnë sërisht, si edhe në 1990? Kjo është çështja!