Këtë të hënë (datë 7 shtator) ka nisur nisur zyrtarisht seanca plenare dhe sesioni i ri parlamentar 2020-2021. Që në nisje të seancës, në sallën e Kuvendit u vendos Himni kombëtar, ndërsa deputetët u ngritën në këmbë dhe kënduan vargjet e këngës simbol të shqiptarëve.
Në sallë shihet se pjesëmarrësit mbajnë pa përjashtim maska, si dhe zbatohet distanca e sigurisë. Kreu i parlamentit, Gramoz Ruci ka përshëndetur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. “Në hapje të këtij sesioni, dëshiroj të përshëndes marrëveshjen ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, të firmosur në prezencën e Presidentit të ShBA Donald Trump. Kjo marrëveshje i hap rrugën marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes së ndërsjelltë. Natyrisht, marrëveshja e Washingtonit e 4 shtatorit nuk është gjithshka do të dëshironim ne, shqiptarët. Por, të paktën, për momentin, procesi është po aq i rëndësishëm sa edhe produktet e kësaj marrvëveshjeje. Hyrja e flamurit të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe hapja e dosjes së Kosovës në tryezën e punës së Presidentit të Shteteve të Bashkuarsa është garanci e një procesi pa kthim prapa. Le të kontribojmë të gjithë që ajo dosje të mos hiqet nga tryeza e Presidentit amerikan, pa u zgjidhur përfundimisht njohja e Kosovës”.
Rendi i ditës i seancës plenare është: Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 29.07.2020 dhe 30.07.2020; Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim; Miratimi/Njoftimi i draftprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator – 16 tetor 2020; Miratimi/Njoftimi i draftkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 7-25 shtator 2020.