Nga Ilir Beqaj/

Prej tre vitesh, angazhimet politike më kanë dhënë mundësinë e rrallë të vizitoj zona të mrekullueshme të Shqipërisë dhe të takohem e të dëgjoj hallet e banorë të atyre zonave. E kam fjalën për Lurën e Kalanë e Dodës, për Shishtavecin e Kolesjanin, për Valbonën, Currajn e Epërm dhe Çeremin, për Vermoshin e Lëpushën, për Thethin, Bogën e Razmën, për Shalën, Pultin, Shoshin e Drishtin, për Temalin e Shllakun. Nuk po them ndonjë gjë të re që në këto zona ka gjithmonë e më pak banorë që jetojnë dimrit, sic ka shumë të tepër që verojnë në shtëpitë tyre dhe akoma më shumë vizitorë shqiptarë e të huaj gjatë sezonit me ditë të gjata. Hallet e banorëve atje nuk janë të pakta.
· Rrugë · Energji elektrike · Kujdes shëndetësor · Arsim për fëmijët · Dokumenta Pronësie · Plane rregulluese, standarte ndërtimi e leje zhvillimi · Ujë të pijshëm e kanalizime ujërash të zeza · Administrim mbeturinash.

Ka që zgjidhen më lehtë e ka që janë më të vështira. Ka që duan fonde, por ka që janë vetëm ligje e procedura. Rrugët po përmirësohen. Për Valbonë, Shishtavec, Bogë, Lëpushë, Tamarë, Vermosh, Drisht, Kala e Dodës shkohet shumë më lehtë sot. Për në Theth po punohet e për në Lurë fillon së afërmi. Në klasa ka gjithmonë e më pak nxënës, por rrugët e përmirësuara e lehtësojnë lëvizjen e nxënësve për në shkolla më të përqëndruara. Kujdesi shëndetësor, sidomos në mbështetje të turizmit veror është mbështetur me shërbim 24/7 e furnizim me barna e materiale mjekjësore urgjence.
Pronësia më është dukur më e koklavitura. Një “grusht” vend jemi, një ligj bazë (i famshmi 7501) burim për tituj pronësie. Situata nga më të koklaviturat e shmangie nga më të çuditshmet. Çdo fshat, një “rast” i veçantë.

Diku nuk e kanë njohur fare 7501. Nuk kanë pranuar të marrin të famshmen AMTP (akt të marrjes së tokës në përdorim). Janë vendosur prej 29 vitesh në kufijtë e vjetër.
Diku i kanë marrë AMTP, por janë vendosur në kufijtë e vjetër. Diku kanë më shumë sipërfaqe se ç’u takon për frymë sipas normës së 7501. Diku kanë më shumë se një AMTP. Diku shfrytëzojnë sipërfaqe që në kadastër nuk quhet tokë bujqësore por pyll, livadh, kullotë apo shkëmb. Diku regjistrimi në Kadastër nuk përputhet me vendndodhjen reale të pronës. Të gjitha këto “përjashtime” e kanë gjetur zgjidhjen ligjore. Edhe kur kemi më shumë tokë për frymë, edhe kur e keni në livadh a pyll, edhe kur keni më shumë se një AMTP, etj, etj.

Me ligjin 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në RSH. Ligji është miratuar në Kuvend në 5 mars 2020, vetëm pak ditë para se të shpërthejë epidemia e Covid 19. Prandaj, mesa duket, nuk ka arritur të marrë vëmendjen e mjaftueshme të publikut të gjerë. Tani lypet vëmendje maksimale. Gjithaçka fillon nga kërkesa e qytetarit në bashkinë ku ndodhet sipërfaqja e tokës që pretendohet të kthehet në pronë të ligjshme e të regjistruar në kadastër. Motra e vëllezër! Një lutje për të gjithë Ju. Ju lutem, bëni kërkesën! Ani se mund t’ju ketë plasur shpirti këto 30 vite. Bëjeni për fëmijët, për mbesat e nipat. Afati maksimal për të dorëzuar kërkesën e 7 nëntor 2020. Kanë mbetur vetëm 8 javë. Një kërkesë për të gjitha bashkitë. Angazhoni maksimalisht burimet njerëzore më të mira për lehtësimin e mbarëvajtjes së këtij procesi. Është shërbimi më i mirë që mund t’u bëni jo vetëm bashkëqytetarëve tuaj por edhe të ardhmes ekonomike e sociale të Shqipërisë.

Një kërkesë për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Gjithë mundi e përpjekja disa vjeçare për të hartuar një ligj gjithëpërfshirës nuk duhet të shkojë dëm nga koeçidenca fatkeqe e mbivendosjes me pandeminë e Covid 19 që mund të sjellë mosinformim dhe/ose mosinteresim të qytetarëve. Lypet çdo lloj kanali komunikimi. TV, gazetë, telefon, mesazh teskt në celular, portal, fletëpalosje, facebook, twitter, instagram etj, etj. Kërkesa e fundit për qeverinë. Sa më parë të miratojë aktet nënligjore të nevojshme për fillimin e zbatimit të ligjit.