Prodhuesi britanik i barnave, AstraZeneca njoftoi se ka filluar provat e Fazës së Tretë të një vaksine kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. AZD 1222 bëhet vaksina e tretë që testohet në një shkallë të gjerë në SHBA, pas vaksinave të Modernas dhe Pfizer/BioNTechit, raporton CNN.
Për testimin në SHBA, AstraZeneca njoftoi se dëshiron të “rekrutojë deri në 30 mijë të rritur të moshës 18 vjeç e lart nga grupe të ndryshme raciale, etnike dhe gjeografike, të cilët janë të shëndetshëm ose kanë kushte të qëndrueshme mjekësore, përfshirë të infektuarit me HIV dhe të cilët janë në rrezik të rritur të infektimit nga virusi SARS-CoV-2”.
Pjesëmarrësit do të marrin dy doza aktive ose placebo, të ndara ndërmjet dy javësh, raporton tg.
Prova do të vlerësojë sigurinë dhe efikasitetin në të gjithë pjesëmarrësit – një nëngrup prej tre mijë pjesëmarrësish do të vlerësohet për reagimet lokale, sistematike dhe imunitetin.
Aktualisht, provat e Fazës së Tretë të AZD1222 po vazhdojnë në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën e Jugut. Provat janë planifikuar gjithashtu në Japoni dhe Rusi.
Prova është financuar nga Autoriteti i Zhvillimit të Avancuar Biomedical, i cili drejtohet nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore dhe Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.