Vera 2020 është një verë për t’u harruar për turizmin në Itali, theksoi sot shoqata që përfaqëson sektori, me 65 milionë vizitorë me netë qëndrimi më pak krahasuar me vitin e kaluar për shkak të epidemisë së COVID-19. Numri i italianëve që kanë kaluar pushimet në vend është rritur lehtë me +1,1%), por ulja e numrit të të huajve ka qenë masive me -65,9%, sipas një hetimi të Qendrës së Studimeve Turistike (CTS) të Firences, realizuar me 1975 ndërmarrës të sektorit.
“Rimëkëmbja e lehtë e tregut italian në muajin gusht nuk mjafton për të shpëtuar verën 2020, që mbetet një sezon për t’u harruar për turizmin”, nënvizoi shoqata “Assoturismo Confesercenti”. “Gjatë tremujorit qershor-gusht, prania në strukturat akomoduese të deklaruara në Itali ka qenë 148,5 milionë, më shumë se 65 milionë më pak se në vitin 2019 (-30,4%)”, theksoi ajo. Nga pikëpamja e xhiros, kompanitë raportojnë një rënie të ndjeshme, prej 37,5% mesatarisht krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
“Kompanitë shpresojnë për një zgjatje të sezonit të verës në shtator dhe një rikthim gradual të të huajve, edhe pse lajmet për një rritje rasteve me COVID-19 kanë ngadalësuar rezervimet dhe në disa raste kanë shkaktuar anulime”, theksoi Vittorio Messina , president i “Assoturismo Confesercenti”. Ai i bëri thirrje qeverisë të shtrijë mbështetjen për sektorin, që po përballet me një sezon të ri të pasigurisë.
Turizmi është një sektor thelbësor për ekonominë italiane pasi kontribuon rreth 13% të PBB-së së vendit.