Deputeti me prejardhje shqiptare, njëherësh lider i koalicionit “E zeza mbi të bardhën”, Dritan Abazoviç, është shprehur kundër një vendimi të mundshëm të qeverisë së re të Malit të Zi për të tërhequr njohjen ndaj Kosovës. Në një intervistë për gazetën serbe, “Kurir”, ai ka folur për shumë çështje. Abazoviç ka theksuar se nuk duhet të rikthehen në të kaluarën.

“Sigurisht që ne do të jemi kundër, dhe unë mendoj se kjo çështje nuk do të jetë në rendin e ditës sepse është diçka që ne e kemi përfunduar, ne nuk duhet të kthehemi në të kaluarën”, është shprehur ai. Abazoviç ka folur më tej edhe për bisedimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ai thekson që Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një gjuhë dhe marrëveshje të përbashkët në të ardhmen. “Pres që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë një gjuhë dhe marrëveshje të përbashkët në të ardhmen gjë që do të qetësonte tensionet dhe do të mundësonte procesin e pajtimit. Paqja nuk ka çmim. Të gjithë këtu duan paqe, askush këtu nuk dëshiron luftë, por jetë, biznes …”, ka deklaruar ai.