Nga Alfred Peza/
Shumë media ngritën pyetjen se përse Ilir Meta dhe Lulzim Basha i harruan deklaratat, presionet dhe ultimatumet e pas ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, të ndërmarra nga Parlamenti. Duke rikujtuar me të drejtë, se Presidenti kishte kërcënuar për këtë shkak, deri me mosdekretim të kryeministrit të ri që do të dilte nga këto zgjedhje. Ndërsa kryetari i opozitës, kishte deklaruar se nuk i njihte fare këto ndryshime, të miratuara “nga një parlament gjysmak dhe çirak i Kryeministrit”. Përtej retorikës së fortë në diskursin publik, gjithmonë kam besuar në praktikë, se lidershipi i opozitës së rrugës,- përfshi edhe Ilir Metën vetë,- janë shumë më të interesuara edhe se vetë PS madje, për krejt të kundërtën në fakt. E kanë dëshpërimisht të nevojshme, zhvillimin e zgjedhjeve të reja të 2021, një minutë e më parë.
Arësyeja është fare e thjeshtë. Në kushtet e gabimit historik të bojkotimi të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, kjo është e vetmja mënyrë për të rimotivuar opozitarët në të gjithë vendin, të cilët gjënden pas 30 vjetësh pluralizëm pa asnjë lloj përfaqësimi në asnjërin prej pushteteve në Shqipëri. Shkaktarët e vetëm të këtij vendimi totalisht të gabuar, janë liderët e tyre të cilët me të njëjtin nxitim që i nxorën, me të njëjtin padurim duan tani, që të ritkhehen në sistemin politik dhe demokratik të vendit. Është kjo edhe arësyeja se përse Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, e ka pranuar menjëherë ftesën e Presidentit të Republikës, për tu ulur të premten në orën 12.00 në tryezën e tij, për të përcaktuar datën e zgjedhjeve parlamentare të pranverës së vitit të ardhshëm. Përveçse një formalitet protokollar, kjo ishte mëse e pritshme nga ana politike, nëse lexojmë sinjalet e dhëna më herët nga opozitarët tanë.
Sinjali i parë për nevojën ulëritëse të opozitës së rrugës për të hyrë sa më shpejt në zgjedhjet e reja të ardhëshme, ishte qëndrimi i përfaqësuesve të tyre në tryezën e Këshillit Politik, kur u diskutua dhe konkludua më pas në marrëveshjen e 5 qershorit, reforma e re elektorale. Në të cilën, periudha e zhvillimit të zgjedhjeve u afrua më afër 2-3 muaj. Për tu përcaktuar këtej e tutje, në një nga katër të dielat, e periudhës kalendarike mes datave 15 prill dhe 15 maj. Më pas, menjëherë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në fund të korrikut, vetëm pak orë pas deklaratave “serioze” dhe “të forta” të Lulzim Bashës, ishte po ai që e tradhëtoi menjëherë veten. Duke nxituar që të deklaronte në fillim të gushtit, nisjen e punës për propozimin, seleksionimin dhe përzgjedhjen e listës së kandidaturave për deputetë të PD. Duke premtuar madje se nuk do bëntë as pushime, por do kishin gati (gjë që nuk e bëri) edhe programin elektoral, brenda muajit që sapo kemi lënë pas.
Të gjitha këto, por edhe fakti se Presidenti i Republikës, megjithëse ka akoma hapësirë kohore për të dekretuar datën e zgjedhjeve të reja, nxitoi që në ditën e parë të shtatorit për të nisur konsultimet me kryetarët e partive për këtë qëllim, e dëshmojnë më së miri nevojën e brendshme opozitare, për të patur këtë nxitim. Por, nuk janë vetëm këto argumenta. Ka ende edhe një detaj të fundit, por shumë të rëndësishëm, që shkon përfundimisht në favor të kësaj teze. E ajo lidhet me preferencat e mazhorancës dhe opozitës për datën e zhvillimit të zgjedhjeve të reja. Opozita e ka deklaruar publikisht se do të preferonte që zgjedhjet të bëheshin në të dielën e parë, të hapësirës së re ligjore, për caktimin e ditës së votimit. Pra, “Opozita e Bashkuar” dhe Ilir Meta preferojnë datën 18 prill.
Ndërsa mazhoranca socialiste, përmes Sekretarit të Përgjithshëm Taulant Balla, ka deklaruar herët se do të preferonte një ditë simbolike, në harmoni edhe me ambicjet e kësaj mazhorance për integrimin e vendit në BE. Brenda muajit elektoral, data më simbolike për këtë do të ishte 9 maji, e cila është edhe Dita e Europës dhe e fitores mbi fashizmin. Fati e do që kjo datë, në vitin 2021, të jetë pikërisht e dielë. Ndaj duket edhe si një “dhuratë” e fatit, që të dyja të përputheshin në një ditë. Duke dhënë kësisoj, edhe një mesazh të qartë simbolik, për qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Megjithatë të zhvillosh zgjedhjet në të dielën e parë të hapësirës së lejuar ligjore për votime, si në të fundit apo në një nga dy të dielat e tjera të saj, në thelb brenda 4 viteve të një mandate, është pothuajse e njëjta gjë. Ndryshimi mes datës që preferon opozita dhe asaj të deklarur nga mazhoranca, dallojnë në thelb, nga diçka tjetër. Ai është vetëm treguesi i diferencës së thellë mes prioriteteve tyre. Kjo është çështja!