Ministrja e Financave dhe Eknomisë, Anila Denaj deklaroi sot se numri i bizneseve në regjistrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit në fund të muajit korrik është 2.7% më i lartë krahasuar me muajin shkurt që përkon me fillimin e pandemisë së COVID-19.

Kjo u bë e ditur gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp të ministres Denaj me ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale të Kosovës, Skënder Raçica.

“Nëse do t’i referohemi statistikave në regjistrin e Qendrës Kombëtare të biznesit në 31 korrik janë 119 939 biznese ose 2.7% më shumë se në shkurt të 2020. Kjo domosdoshmërisht nuk tregon se bizneset nuk kanë vështirësi, por tregon se bizneset kanë një rezistencë për tu larguar nga tregu dhe tregon se ka një pritshmëri nga bizneset që me amortizimin e efekteve të pandemisë të kthehet situate që ka qenë“, tha Denaj.

Sipas ministres, nga të dhënat nuk duket që numri i bizneseve është ulur. “Por ne e shikojmë që një numër i bizneseve kanë vështirësi, pasi nuk mund të mohojmë faktin që edhe mbyllja e ekonomisë dhe vështirësitë në lëvizjen e mallrave japin efekt. Nuk duhet të harrojmë që 60% e vëllimit të tregtisë është me Italinë dhe sigurisht që edhe kjo ka ndikimin e saj që do të shkojë edhe drejt uljes së punësimit. Kjo është tej faktit të mbështetjes nga qeveria përmes paketave financiare, garancive sovrane e programeve të nxitjes së punësimit”, u shpreh ministrja.

Ministrja bëri të ditur se në periudhën e parë maj-qershor numri i të larguarve nga puna arriti në 87 mijë, por vuri në dukje ajo, rikthimi në punë dhe amortizimi i të gjithë këtyre efekteve në një kohë të shkurtër është shumë i rëndësishëm.

“Pikërisht për të amortizuar efektet e COVID-19 në mbylljen e biznesit e në papunësi, ne krahas paketave të ndihmës financiare prezantuam edhe paketën me lehtësi fiskale që parashikon përjashtimin nga tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë, si dhe ngritjen e pragut për regjistrimin në skemën e TVSH-së në 10 milionë lekë“, deklaroi ministrja Denaj. Nga kjo masë, tha Denaj, përfitojnë 63 mijë biznese.