Ministrja e Financave dhe Eknomisë, Anila Denaj deklaroi sot se pandemia e COVID-19 ka prekur punësimin në vend, por tha ajo, si rezultat i paketave mbështetëse të akorduara nga qeveria dhe tre programeve për nxitjen e punësimit të prezantuara në muajin korrik, kemi 3 mijë të punësuar më shumë. Ky numër i të punësuarve, tha ministrja Denaj, është kryesisht në sektorin e turizmit.

Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, të Kosovës, Skënder Raçica, ministrja Denaj shprehu besimin se ekonomia do t’i rikthehet trendeve të saj të para pandemisë në afat të mesëm. “Jemi pas dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë. Në vijim të adresimit e mbështetjes së qytetarëve dhe bizneseve, qeveria hartoi 2 paketa financiare dhe tre paketa nxitëse për punësimin. Paketat janë vënë në dispozicion për të nxitur të vetëpunësuarit e të punësuarit”, deklaroi Denaj.

Ministrja theksoi se përmes skemave e paketave në momentet e para të ballafaqimit me pandeminë,me pagat e luftës dhe lançimin e dy garancive financiare për biznesin u arrit një amortizim i goditjes që do të çonte në humbjen e më tepër vendeve të punës. Në nga tre elementët e paketës së tretë që lidhej me programet e nxitjes së punësimit ishte një skemë ku për 12 muaj kontributi subvencionohet nga shteti. E gjithë kjo, bëri të ditur ministrja bëhet që të nxitet punësimi.

Ndërkohë, tha ajo, janë edhe dy paketa të tjera, ajo që do të nxiste kthimin në punë për periudhën afatshkurtër, atë sezonal që lidhet me adresimin e punësimit në sektorin e turizmit. Sipas kësaj skeme për një punësim 4-mujor qeveria do të subvencionojë 2 muaj pagën minimale reference. Ndërsa për punësimin 8-mujor qeveria subvenciononte 4 muaj të pagës minimale reference.

Në tremujorin e parë për Shqipërinë papunësia llogaritet 11.4%. Kjo ulje e papunësisë, tha ministrja vjen si rrjedhojë e politikave të ndërmarra nga qeveria. Denaj foli edhe për taksimin progresiv, për të cilin tha se për një numër të konsiderueshëm të të punësuarve është ulur barra fiskale, duke u sjellë më shumë kursim qytetarëve shqiptarë si rezultat i kësaj lehtësie të aplikuar që në mandatin e parë të qeverisë “Rama”.

“Nuk dua të hyj në debate të taksimit, por për më shumë se 85% të qytetarëve kjo taksë nuk është kosto për ta”, tha Denaj. Ministrja bëri të ditur se kjo mazhorancë edhe në mandatin e saj të tretë i qëndron fort kësaj formule. “Një nxitje për të rritur bazën e formalizimit edhe në tregun e punës mbetet qasje e ministrisë dhe politikave në mënyrë që ky përfitim të jetë për të gjithë që sot janë në tregun e punës, si për ata të deklaruarit edhe ata që janë në të zezë“, deklaroi Denaj.